Zgjedhjet në Shqipëri, krijohet koalicioni opozitar “PD-AN”

Partia Demokratike në Shqipëri dhe 13 aleatët e saj do të shkojnë në zgjedhjet e 25 Prillit me emrin e koalicionit të përbashkët “Partia Demokratike- Aleanca për Ndryshim”. Risi në listë është partia e ish-presidentit Bamir Topi i cili rikthehet në Partinë Demokratike pas disa vitesh në mungesë. Partia aleate që mbajti në “ankth” të djathtët deri ditën e fundit ishte Partia Republikane. Fatmir Mediu dha “ok” paraditen e sotme pas një takimi me kryedemokratin Basha në selinë blu.

Në marrëveshjen që mban firmën e 14 krerëve të partive, palët theksojnë se bëhen bashkë për të garantuar që në zgjedhjet e ardhshme t’i sjellin ndryshimin vendit. Ata bëjnë përgjegjës për dështimin e vendit, kryeministrin aktual Edi Rama. Bashkimi nën një koalicion të përbashkët do bëjë që partitë e vogla aleate të identifikohen në zgjedhje me siglën e partisë më të madhe të djathtë “PD”, ndërsa shkronjat nistore të koalicionit janë “PD – AN”.

Marrëveshja autorizon kryedemokratin Lulzim Basha që t’i paraqesë KQZ-së listat e kandidatëve për deputetë, ndërsa Ivi Kaso do dërgojë pranë këtij institucioni kërkesën për regjistrimin në zgjedhjet e 25 Prillit.

Aleatët e djathtë theksojnë se numri përkatës i kandidatëve që do të propozojë çdo parti brenda koalicionit do të konkretizohet kur të dorëzohet lista shumëemërore e kandidatëve të koalicionit sipas modelit të përcaktuar.

Në listë do të përfshihet numri i kandidatëve dhe renditja e tyre bazuar në peshën elektorale për secilën parti, ndërsa çdo kandidat nuk do të identifikohet me partinë e tij por me koalicionin në tërësi.

LEXO EDHE:

Back to top button