Zgjedhjet në Turqi, Erdogan shpreson që rezultati të jetë në të mirë të shtetit

Zgjedhjet në Turqi, Erdogan shpreson që rezultati të jetë në të mirë të shtetit

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Miliona turq kanë votuar për të ardhmen e vendit të tyre duke votuar Rexhep Tajip Erdogan ose Kemal Kiliçdaroglu. Analistët kanë argumentuar se në zgjedhjet e këtij viti në Turqi, pjesëmarrja e zgjedhjeve të mëparshme që arriti në 86%, mund të tejkalohet. Pamjet nga qendrat e votimit konfirmojnë këtë pritshmëri pasi edhe persona me karroca apo barela mbërritën në qendrat e votimit. Rasti i tillë është 112-vjeçarja Gulu Dogan, gruaja më e vjetër në provincën Gumusan të Detit të Zi, e cila këmbënguli të shkonte të votonte vetë dhe jo përmes një aplikacionit nëpërmjet celularit. Një tjetër grua shkoi të votonte, ndërsa djali i saj i mbante bombolën e oksigjenit. Anëtarët e komisionit zgjedhor u regjistruan duke shkuar në qendrat e votimit në azile ose të shtrirë në shtrat, në mënyrë që ata të mund të ushtronin të drejtën e tyre për të votuar.

Zgjedhjet e 14 majit në Turqi janë ndër më të rëndësishmet në historinë moderne të këtij shteti, të cilat ose mund ta rrëzojnë nga pushteti presidentin Recep Tayyip Erdogan ose do t’i mundësojnë që të hyjë në dekadën e tretë në pushtet.

Votimet jo vetëm që do të përcaktojnë se kush do ta udhëheqë Turqinë, por cilin drejtim do të marrë ekonomia e cila është goditur nga kriza e kostos së jetesës, dhe do të formësojë politikën e jashtme.

Sondazhet i kanë dhënë kundërkandidatit kryesor të Erdoganit, Kemal Kilicdaroglut, avantazh të lehtë. Ai është kandidat i aleancës të përbërë nga gjashtë parti opozitare. Megjithatë, nëse asnjëri kandidat nuk arrin të fitojë mbi 50 për qind të votave, rundi i balotazhit për zgjedhjet presidenciale do të mbahet më 28 maj. Pas votimit, presidenti Erdogan shprehu bindjen se rezultati i këtyre zgjedhjeve do të jetë “i mirë për të ardhmen e shtetit”, por nuk u deklarua nëse mendon se do të fitojë.

“Do Zoti që pas numërimit të votave mbrëmjen e sotme, rezultati të jetë i mirë për të ardhmen e shtetit tonë, për demokracinë turke”, deklaroi Rexhep Taip Erdogan, President i Turqisë.

Ndërkaq, Kilicdarogu u zotua se do të rivendosë demokracinë.

“Të gjithëve na kishte munguar demokracia”, tha ai për gazetarët. “Do ta shihni, do Zoti, pranvera do të vijë për këtë shtet”, tha Kemal Kilicdaroglu, Lider i opozitës.

Votuesit në Turqi po ashtu do të zgjedhin Parlamentin e ri. Gara për Parlament pritet të zhvillohet mes koalicionit Aleanca e Popullit që përbëhet nga partia konservatore e Erdoganit, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) dhe parti të tjera nacionaliste, dhe aleancës opozitare të Kicidaroglut, Aleanca Kombëtare. Në krahun opozitar bën pjesë partia sekulariste, Partia Popullore Republikane (CHP), që ishte krijuar nga themeluesi i Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk. Vendvotimet janë hapur në orën 08:00 dhe do të mbyllen në orën 17:00, sipas kohës lokale. Sipas ligjit në Turqi, publikimi i çdo rezultati është i ndaluar deri në orën 21:00. Në orët e vona të së dielës mund të ketë indikacione të qarta nëse do të ketë rund balotazhi për zgjedhjet presidenciale.

Votimet po monitorohen nga një mision i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Ky mision tha se do të publikojë të hënën deklaratën preliminare lidhur me gjetjet sa i përket zgjedhjeve.

Erdogan. 69 vjeç, po përballet me testin më të madh politik. Ai gëzon mbështetjen e turqve të cilët nuk duan një Turqi sekulare dhe ai i ka mbijetuar një sërë skandalesh korrupsioni dhe tentimin për grusht-shtet të vitit 2016. Kilicdaroglu, 74 vjeç, ka premtuar se ai do të ndryshojë drejtimin e ekonomisë nëse fiton zgjedhjet. Ai po ashtu dëshiron të ndryshojë sistemin politik dhe ta kthejë shtetin në sistem parlamentar. Kilicdaroglu po ashtu ka premtuar se do të rivendosë pavarësinë e gjyqësorit. Mbi 64 milionë persona, përfshirë edhe 3.2 milionë pjesëtarë të diasporës turke, kanë të drejtë vote në zgjedhjet e 14 majit. Mbi 1.6 milion persona veçse kanë votuar jashtë vendit. Tradicionalisht, dalja në zgjedhjet turke është e lartë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button