Zgjidhet problemi me pagat e infermiereve

Zgjidhet problemi me pagat e infermiereve

Gazetar: Mefail Ismaili

Ministria e Shëndetësisë i ka dorëzuar Shtëpisë së Shëndetit në Shkup, pëlqimet për t’ua vazhduar kontratat e punës 163 punonjësve të cilët nga janari po punojë pa kontrata pune, pa sigurim shëndetësor dhe pa paga. Për Alsat nga Ministria e Shëndetësisë thonë se pasi i kanë proceduar pëlqimet që i kanë marrë nga ana e Ministrisë së Financave, ata ia kanë dorëzuar udhëheqësve të Shtëpisë së Shëndetit.

“Pas një takimi paraprak, ministri i Shëndetësisë ia ka dorëzuar të gjitha pëlqimet e marra nga Ministria e Financave, dr. Viktor Isijanovski në Shtëpinë e Shëndetit. Nga Ministria e Financave kemi marrë 53 përgjigje negative për vendime pune me afat të pakufizuar. Ndërsa pëlqime pozitive kemi marrë për 47 persona për kontratë me afat të caktuar, ndërsa për 116 persona kemi marrë pëlqim për kontrata në vepër”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Doktori Viktor Isjanovski për Alsat tha se menjëherë do të përgatisin kontratat për nënshkrim dhe gjatë javës së ardhshme do tu paguhen pagat e prapambetura të të punësuarve në Shtëpinë e Shëndetit në Shkup.

“I përgatisim kontratat, do të thirren peronat t’i nënshkruajnë, nga e hëna, brenda javës që vjen pagesa do të bëhet për janarin dhe për shkurtin, ndërsa muaji mars do të paguhet gjatë muajit prill”, deklaroi Viktor Isjanovski, Shtëpia e Shëndetit në Shkup.

Një javë më parë më shumë se 140 të punësuar në Shtëpinë e Shëndetit në Shkup, e ngritën zërin për të kërkuar të drejtat e tyre nga Ministria e Financave dhe Ministria e Shëndetësisë, të cilët për gati tre muaj nuk i jepnin pëlqimet për tu dhënë kontrata pune dhe paga. Të punësuarit deklaruan se për më shumë se dy muaj punojnë pa paga, pa sigurim shëndetësor dhe nuk kanë asnjë informatë për fatin e tyre, edhe pse një pjesë prej tyre kanë punuar në kohët më të vështira të pandemisë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button