Zjarret përfshijnë Evropën: Tre zjarrfikës humbin jetën në Greqi, alarm edhe në Turqi, Spanjë e Francë

Tre zjarrfikës kanë humbur jetën gjatë përballjes me zjarret masive që kanë përfshirë Greqinë, ndërsa vala e të nxehtit dhe flakët vijojnë të kërcënojnë disa vende të Evropës Jugore. Situata mbetet kritike edhe në Turqi, ku një zjarr në provincën Mugla detyroi mbylljen e autostradës që lidh Fetijen me Antalian dhe evakuimin e një pjese të një spitali.

Ndërkohë, në Spanjë kryeministri Pedro Sançez paralajmëroi se 12 orët e ardhshme do të jenë vendimtare për vënien nën kontroll të zjarrit pranë Madridit. Mbi 43 mijë hektarë tokë janë djegur në provincën Avila, ndërsa autoritetet e konsiderojnë këtë zjarr si më të madhin e regjistruar ndonjëherë në historinë e vendit. Të paktën 13 vetë kanë humbur nga zjarret në Spanjë këtë vit.

Edhe Franca jugperëndimore vijon të mbetet në alarm. Zyrtarët paralajmërojnë se temperaturat mund të arrijnë deri në 41 gradë Celsius, ndërsa erërat e thata rrisin rrezikun e riaktivizimit të vatrave të zjarrit.

Evropa po përballet me një nga verat më të nxehta të viteve të fundit. Sipas Shërbimit Evropian për Ndryshimet Klimatike kontinenti po ngrohet me ritmin më të shpejtë në botë, duke shtuar rrezikun e valëve ekstreme të të nxehtit dhe zjarreve shkatërruese./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button