Zjarri në rajonin e Shtipit vihet nën kontroll, dyshohet se u shkaktua nga rrufetë
Gazetare: Ajnur Bafqari
Pas dhjetë orësh, autoritetet dhe banorët lokalë arritën që gjatë natës ta lokalizojnë tërësisht zjarrin që u shfaq dje pasdite në rajonin e Shtipit. Zjarri i përmasave të mëdha, që gjatë natës filloi të përhapej edhe drejt vendbanimeve, sipas informacioneve të para ishte shkaktuar nga stuhitë me shkarkime të forta elektrike.
“Zjarri në Shtip është shuar. Në shuarjen e tij morën pjesë Njësia Territoriale e Zjarrfikësve të Shtipit me 20 zjarrfikës dhe 4 automjete zjarrfikëse, Shoqata Vullnetare për mbrojtje dhe shpëtim e Shtipit me 10 persona dhe 4 automjete, njësia nga Koçani me 2 automjete dhe 6 persona, si dhe një ekip nga Sveti Nikolla”, thonë nga Qendra për Menaxhim me krizat.
Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe shpëtim thonë se nuk kishte kërkesë as kushte për përdorimin e avionëve për shuarjen e zjarreve.
“Nuk janë shfrytëzuar avionë, nuk kishte kërkesë të tillë sepse nuk kishte kushte”, thonë nga Drejtoria Për Mbrojtje dhe Shpëtim.
Sezoni i zjarreve duket se i ka gjetur autoritetet me kapacitete të kufizuara njerëzore. Një ditë më parë, Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim u bëri thirrje ish policëve, ish ushtarëve dhe ish zjarrfikësve të bashkohen në luftën kundër zjarreve të mundshme këtë verë. Kandidatët duhet të kenë të paktën pesë vjet përvojë policore, ushtarake ose zjarrfikëse, pavarësisht nëse janë në pension ose për arsye të tjera e kanë lënë punën. Stojançe Angelov u bëri thirrje kësaj kategorie të qytetarëve të marrin pjesë në luftën për shuarjen e zjarreve, duke nënvizuar se përmes kësaj ndihme, do të fitojnë nga 2 150 euro për tre muaj të verës./ Alsat.mk.








