Kallëzim penal ndaj kompanisë nga Azerbajxhani “Akelik Group”, vendi humbi 10 milionë euro
Dyshime për keqpërdorime milionëshe në projektin për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të kanalizimit në Kërçovë kanë çuar në ngritjen e një kallëzimi penal ndaj një shtetasi të huaj dhe një personi juridik. Sipas autoriteteve, kompania nga Azerbejxhani “Akelik Group” nuk ka siguruar garanci bankare të vlefshme, duke fshehur se banka lëshuese “Muganbank” kishte falimentuar. Sipas informacioneve të disponueshme publikisht, realizues i projektit në Kërçovë është kompania nga Azerbejxhani “Akelik Group”, drejtues i së cilës në Baku është Sulejman Babajev. Kompania kishte edhe një degë në Kërçovë të drejtuar nga një shtetas azerbejxhanas, por kjo kompani është e bllokuar dhe prej një periudhe të gjatë nuk ka kryer transaksione financiare. Sipas kallëzimit, Akelik ka angazhuar gjithashtu nën-kontraktorë pa miratimin paraprak të institucioneve kompetente.
Për shkak të këtyre parregullsive, kontrata është ndërprerë, ndërsa dëmi i vlerësuar kap vlerën e mbi 127 milionë denarëve, ndërsa është humbur edhe financimi IPA në vlerë rreth 9.47 milionë euro, të cilin shteti do të duhet ta mbulojë nga mjetet e veta. Në një pjesë të projektit, siç ka raportuar më herët emisioni KOD në Telma, kanë marrë pjesë edhe kompani të Drin Ahmetit, nipit të Ali Ahmetit, i cili e ka paditur dhe ka fituar në gjykatë kundër Akelik për një borxh të papaguar. Nga Policia Financiare kanë deklaruar se ky është vetëm segmenti i parë i hetimit, i cili vazhdon edhe për pjesë të tjera të marrëveshjes me kompaninë nga Azerbajxhani./Alsat.mk.








