Zjarri në Trubarevë, Prokuroria ka nisur procedurë ndaj katër personave

Zjarri në Trubarevë, Prokuroria ka nisur procedurë ndaj katër personave

Gazetare: Fatlume Dervishi

Institucionet njoftojnë se janë duke hetuar edhe përgjegjësinë dhe përfshirjen eventuale të personave të tjerë, rreth zjarrit në deponinë në Trubarevë. Pas paraburgimit të shkurtër për 4 persona, ministri Pançe Toshkovski njoftoi se do të hetohet e gjithë veprimtaria e kompanisë, që nga themelimi.

“Hetimi do të shkojë sa më thellë që është e mundur, që nga fillimi i punës së këtij personi juridik. Edhe ata që janë marrë në pyetje dhe janë ndaluar janë të lidhur me strukturën pronësore dhe menaxhuese të kompanisë. Kjo është e detyrueshme që të zbardhen çështjet. Por, unë do të shkoja një hap më larg, jo vetëm për këtë firmë, do t’i ftoja të gjitha institucionet kompetente në vend, veçanërisht Ministrinë e Ambientit Jetësor, dhe të gjithë ata inspektorate, drejtori dhe të tjerat që lidhen me mbrojtjen ekologjike, maksimalisht të kyçen në ndërmarrjen e veprimeve të tyre ligjore. Nëse ata do ta bënin punën e tyre si duhet, nuk do të vinte puna deri këtu ku erdhi. Ne duhet njëherë e përgjithmonë të kuptojmë se në vend që të vrapojmë të gjejmë zgjidhje për problemin pasi të ndodhë, të gjithë institucionet duhet ta bëjnë punën që mënyrë parandaluese që të mos ndodhë incidenti”, deklaroi Pançe Toshkovski, Ministër i Brendshëm.

Toshkovski thotë se institucionet kompetente janë të detyruar të dalin në terren dhe të inspektojnë të gjitha deponitë legale dhe ato ilegale. Ai shtoi se nuk duhet të shihet vetëm a kanë leje, por edhe a veprojnë në bazë të ligjeve dhe standardeve.

Prokuroria një ditë më parë njoftoi se ka nisur procedurë ndaj 4 personave të dyshuar për kërcënim për mjedisin dhe natyrën. Nga atje thanë se veprimet e tyre specifike po hetohen, por ato përfshijnë një menaxher dhe pronar 56-vjeçar të 2 kompanive, një menaxher 22-vjeçar të një kompanie të tretë, një menaxher 42-vjeçar të një filiali dhe një të punësuari 59-vjeçar.

Prokuroria si dëshmi materiale pret edhe matjet e Ministrisë së Ekologjisë për sasinë e ndotjes. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button