Zona e lirë ekonomike midis Ohrit dhe Strugës është bosh

Zona zhvillimore industriale teknologjike midis Ohrit dhe Strugës mbetet e zbrazët. Përveç një fabrike, tani për tani nuk ka objekt tjetër. Zona pritej të sjellë valë investimesh në rajon për krijimin e më shumë vendeve të punës.

“Deri më tani, duhej të ishte plotë me fabrika nga investitorët vendas, e jo të presim vazhdimisht duke u lutur që dikush nga jashtë të vijë”, deklaroi Mevmed Xhemailoski, biznesmen nga Struga.

Dy vite më parë, gjatë mandatit të mëparshëm të LSDM-së dhe BDI-së, u paralajmërua investim i ri. Nga Drejtoria për Zonat e Zhvillimit Teknologjik Industrial thotë se kompania kishte nënshkruar marrëveshje për qira afatgjatë të tokës ndërtimore në gusht të vitit 2018.

“Sipas kontratës, qiramarrësi i tokës është i obliguar ta përfundojë ndërtimin e tokës ndërtimore dhe të fillojë prodhimin jo më vonë se 30 muaj nga data e lidhjes së kontratës”, thonë nga Zonat e Zhvillimit Teknologjik Industrial.

Kjo do të thotë që investitorit i kanë mbetur vetëm pesë muaj për ta filluar punën, por ende nuk ka asnjë fabrikë në këtë lokacion. Ekspertët e ekonomisë konsiderojnë se tani që pandemia botërore përkeqëson edhe më shumë situatën me investimet e huaja, diçka duhet të ndryshojë.

“Të ofrohen pako më të mira për të tërhequr kompani të huaja që janë të interesuara, por të merren parasysh interesat e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, gjegjësisht të renditen më lart dhe më të motivuar të vijnë ato kompani, që do të krijonin lidhje më serioze me ndërmarrjet tona të vogla dhe të mesme”, u shpreh Anastas Gjuroski, profesor.

Në Maqedoninë e Veriut, përveç zonës në Strugë, në letër ka deri në 14 zona të tilla të lira për investime “grinfilld”, por vetëm katër janë në funksion.

LEXO EDHE:

Back to top button