Zvërneci në qendër të debatit: Qytetarët kundër projektit, Rama në vizitë në Francë

Gazetare: Linda Ebibi Ademi

Në Shqipëri vijon tensioni politik dhe qytetar lidhur me projektin e investimit në zonën e Zvërnecit në Vlorë, ndërsa sot pritet të shënohet dita e 23-të e protestave të paralajmëruara nga qytetarët dhe aktivistët që kundërshtojnë zhvillimin e projektit. Ndërsa protestuesit po përgatiten për tubimin e radhës, që sipas tyre ka marrë përmasa të gjera dhe është shtrirë nga bregdeti në Tiranë e më pas edhe në diasporë, kryeministri Edi Rama ndodhet për një vizitë zyrtare në Francë. Në të njëjtën kohë, në agjendën e kryeministrit në Francë parashikohet një takim me presidentin Emmanuel Macron. Sipas njoftimeve zyrtare, në fokus të diskutimeve pritet të jenë integrimi evropian i Shqipërisë, si dhe bashkëpunimi ekonomik dhe investimet e huaja në vend.

Ajo që nisi fillimisht si një reagim për mbrojtjen e mjedisit në zonën e Zvërnecit, brenda pak ditësh u shndërrua në një lëvizje më të gjerë qytetare. Protestuesit thonë se shqetësimi i tyre lidhet me menaxhimin e pronës publike dhe mënyrën e dhënies së saj për investime, ndërsa një pjesë e tyre kërkon edhe dorëheqjen e kryeministrit. Lëvizja është quajtur nga organizatorët “Revolucioni Flamingo”.  Ndërkohë, në skenën e brendshme politike vijojnë zhvillimet edhe në Kuvendin e Shqipërisë që lidhen me protestën por edhe me zhvillimin e vendit në përgjithësi. Komisioni i Etikës ka vendosur përjashtimin për 30 ditë nga punimet parlamentare të deputetëve Agron Shehaj dhe Erald Kapri, pas përplasjeve të ndodhura në seancë plenare.

Nga ana tjetër, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka kërkuar zhvillimin e një mocioni me debat në Kuvend, lidhur me raportin e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025. Në kërkesë përfshihen 20 çështje të evidentuara në raport, të cilat opozita i konsideron të rëndësishme për t’u trajtuar në mënyrë të menjëhershme nga institucionet.

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka përsëritur disa herë qëndrimin e tij se qeveria nuk do të tërhiqet nga projekti i investimit në zonën e Zvërnecit në Vlorë, duke e konsideruar atë pjesë të planeve zhvillimore për zonën bregdetare./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button