​Vetëvendosje nuk e ka ftuar Vjosa Osmanin t’i bashkohet këtij subjekti

Anëtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se nuk i kanë bërë ftesë Vjosa Osmanit që t’i bashkohet Vetëvendosjes, veçse deklaroi që me të kanë një koordinim të mirë në çështjet me rëndësi për Kosovën. Ajo tha se partitë në pushtet dhe të tjerat por flasin vetëm për poste dhe asnjëherë për programe, por sipas saj, qytetarët do t’i ndëshkojnë ata në zgjedhjet që thotë se do të mbahen së shpejti.

Haxhiu tha se qeveria aktuale ka degraduar në çështjet me rëndësi për vendin, që sipas saj, lidhur me ato çështje Vetëvendosje ka koordinim të mirë me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani. Por, Osmanit nuk i kanë bërë ftesë që t’i bashkohet Lëvizjes Vetëvendosje.

“Natyrisht që nuk i kemi bërë ftesë që të vijë në Lëvizjen Vetëvendosje, ne respektojmë qëndrimet publike të zonjës Osmani, ajo ato ka kohë që i thotë publikisht, dhe nuk ka diçka të re në këtë drejtim, ne kemi bashkëpunim të mirë në Kuvendin e Kosovës, qoftë nënkryetarja Arbërie Nagavci, apo shefi i grupit parlamentar, kemi një koordinim të mirë sidomos për çështjet që janë shumë të rëndësishme, e kemi parë degradimin e qeverisë në raport me ato çështje”, tha Haxhiu.

Rreth deklaratave të Isa Mustafës, se tashmë i kanë hequr “vijat e kuqe” për PDK-në, Albulena Haxhiu tha se ato janë vënë vetëm në kohën e zgjedhjeve derisa LDK garonte në krye me Vjosa Osmanin.

“Ata vijë të kuqe i kanë hequr moti PDK-së, por është fatkeqësi që Kosova, qoftë për PDK-në, qoftë LDK-në, qoftë për subjektet AAK- e të tjera, është reduktuar vetëm në poste, siç e keni parë nuk flitet asgjë qoftë për çështjet programore, vetëm për poste kush do të jetë president, por që jam shumë e bindur që vendi shpejtë do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme dhe qytetarët do t’i ndëshkojnë ata që bëjnë pazare të tilla”, tha Haxhiu.

Haxhiu tha se mocionin për rrëzimin e qeverisë Hoti nuk mund ta procedojë në Kuvend pa pasur 40 nënshkrime, për çka tha se i kanë kërkuar PDK-së që t’i jap ato.

“Deklaratat publike të PDK-së janë që procedojeni më shpejtë mocionin, ata shumë mirë e dinë që pa i pasur 40 nënshkrime proceduralisht është e pamundshme që të procedohet mocioni, pra na duhen nënshkrimet i kemi bërë ftesë që të na japin ato”, tha ajo.

LEXO EDHE:

Back to top button