14 persona kanë vdekur nga shembja e stacionit të trenit në Serbi
14 persona kanë vdekur nga shembja e stacionit të trenit në Serbi
Është përkeqësuar bilanci i viktimave si pasojë e shembjes së çatisë së një stacioni hekurudhor në qytetin serb të Novi Sadit.
Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad njoftoi se gjatë hetimeve janë nxjerrë nga rrënojat 14 trupa pajetë, ndërsa për shkak të lëndimeve të marra, në Qendrën Klinike të Vojvodinës janë pranuar tre persona, identiteti i të cilëve ende nuk është përcaktuar.
“Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad ndërmerr të gjitha masat dhe veprimet në përputhje me ligjin për të vërtetuar ekzistimin e elementeve të veprës penale dhe përgjegjësisë për atë që është bërë, për të cilat publiku do të informohet me kohë”, deklaroi prokuroria.
Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiç, në adresimin e tij të fundit për media tha se dyshohet që nën rrënoja të kenë mbetur edhe dy apo tre persona.
“Kjo shifër sigurisht që nuk do të jetë përfundimtare”, tha Daçiç për mediat serbe, duke shtuar se vijojnë kërkimet për të zhdukurit.
Më herët kryeministri i Serbisë Millosh Vuçeviç, tha se kjo është një nga ditët më të vështira në historinë e pasluftës të Novi Sadit. Ai deklaroi se streha që u shemb ishte ndërtuar në vitin 1964.
“Kjo është një nga ditët më të vështira në historinë e pasluftës së Novi Sadit dhe një tragjedi e tmerrshme. Në emër të Qeverisë dhe të gjithë qytetarëve të Serbisë, dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia për familjet e viktimave. Dhe për të falënderuar të gjithë shpëtimtarët që po luftojnë për të ndihmuar njerëzit nën rrënoja”.
Stacioni hekurudhor i Novi Sadit ishte ndërtuar më 1964. Më 2024, pas rikonstruktimit për tre vjet, ky stacion u hap sërish më 5 korrik.