PD kallëzon sërish Edi Ramën në SPAK, këtë herë për “Albanian Files”
Gazetare: Ilirida Rashiti
Koncerti madhështor i artistit amerikan Kanye West, dërgon në prokurori Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama.
Një tjetër kallëzim penal është depozituar në Prokurorinë e posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ndaj kryeministrit Edi Rama. Pas denoncimit për financimin prej 4.2 milionë eurosh për koncertin e artistit amerikan, Kanye West, Partia Demokratike i është drejtuar sërish SPAKU-t, por këtë herë në lidhje me çështjen e njohur si “Albania Files”.
Kreu i grupit demokrat Gazment Bardhi, akuzon kreun e qeverisë për “shpërdorim detyre”, “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”.
Sipas opozitës, libri “The Albanian Files – Freedom and Architecture”,zbulon një skemë, ku Rama përzgjidhte studio të njohura ndërkombëtare arkitekture dhe i lidhte ato me investitorë shqiptarë, ku të cilët më pas përfitonin leje ndërtimi për projekte në Tiranë dhe zonat bregdetare.
Në kallëzim thuhet se tarifart e larta të projketimit shërbenin si mekanizëm për të siguruar miratimin e lejeve nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe Këshilli Kombëtar i Territorit.
Si shembull përmendet projekti “Sun Moon Star”, një kullë 44-katëshe në Tiranë, që sipas Partisë Demokratike ilustron mënyrën e funskionimit të kësaj teme të dyshuar.
Në përfundim të kallëzimit, Partia Demokratike kërkon nga SPAK nisjen e hetimeve për të zbardhur rolin e kryeministrit Edi Rama dhe të zyrtarëve të tjerë të cilët janë të përfshirë në këtë çështje.
Deri më tani nuk ka ndonjë reagim nga kryeministri Edi Rama apo institucionet e përmendura në kallëzim. /Alsat.mk








