Republika e Kosovës shpall “non grata” ministren serbe pas deklaratave për “spastrim etnik”

Gazetare: Amila Rashiti

Kosova ka shpallur “non-grata” ministren serbe Snezana Punoviq pas deklaratës të saj fashiste, se do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën” në vitin 1998. Ministri i Brendshëm në detyrë i Kosovës Xhelal Sveçla tha se e ka nënshkruar vendimin për t’ia ndaluar përgjithmonë hyrjen në Kosovë apo kalimin tranzit, ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale.

Xhelal Sveçla, Ministër i Brendshëm i Kosovës

“Epoka kur shqiptarët shtypeshin, masakroheshin dhe spastroheshin etnikisht ka përfunduar njëherë e përgjithmonë. Republika e Kosovës është shtet sovran e demokratik, me institucione të fortë që mbrojnë rendin kushtetues, integritetin territorial dhe sigurinë e çdo qytetari”

Ai shtoi se çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale.

Edhe Brukseli e dënoi ashpër deklaratën e ministres serbe. Komisionarja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, tha se është e tronditur nga deklarata e ministres Paunoviq. Ajo shfaqi shpresën se bëhet fjalë për një qëndrim individual, e jo për qëndrimin e gjithë Qeverisë së Serbisë.

“Për deklarata të tilla mund të ketë vetëm tolerancë zero. Në Evropë nuk ka vend për retorikë që arsyeton, promovon apo madhëron spastrimin etnik. Personalisht, jam vërtet e tmerruar që në këtë kohë duhet të flasim ende për gjëra të tilla,” tha Marta Kos, Komosionere për Zgjerim e BE-së.

Gjatë luftës në Kosovë, në vitet 1998-1999, u vranë mbi 13.000 civilë, kryesisht shqiptarë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Mbi 1.500 persona, shumica shqiptarë, vazhdojnë të figurojnë të zhdukur. Mijëra trupa u gjetën ndër vite në varreza masive në Serbi. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button