Afati drejt fundit, pa marrëveshje për ndryshimet në Kodin Zgjedhor

Gazetare: Ajnur Bafqari

Në mesnatë skadon afati për sjelljen e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Pushteti dhe opozita mbeten në qëndrimet e tyre diametralisht të kundërta. Kryeministri Hristijan Mickoski, nuk është optimist se këto ndryshime mund të sillen në afatin e parashikuar, por i bën edhe njëherë thirrje opozitës të ulen e të harmonizojnë qëndrimet, duke përsëritur qëndrimin se pushteti do ta pranojë pa e polemizuar temën.

“Nuk jam optimist sepse kemi punë me njerëz të papërgjegjshëm dhe të papjekur. Ne si koalicion qeveritar e harmonizuam qëndrimin tonë dhe në tryezë u thamë, ja merruni vesh, shkruajeni, silleni, derisa votimi i diasporës është pjesë e propozimit, ne e mbështesim plotësisht. Ata luftonin kush kë do ta thërras dhe ku do të mbahet takimi mes opozitës. Unë ja sot i ftoj në pjekuri dhe përgjegjësi edhe kryetarin e BDI-së edhe të LSDM-së, të Majtës, krahun e Ziadin Selës, e të Arben Taravarit, të ulen së bashku si parti opozitare, të merren vesh”- tha kryeministri, Hristijan Mickoski

Opozitarja LSDM e akuzoi Qeverinë se manipulon me opinionin duke theksuar se ndryshimet janë kusht për përparimin e vendit në procesin euro integrues. Nga LSDM theksojnë se BE-ja nuk kërkon sjelljen e Kodit zgjedhor siç thonë ,të përshtatur për një parti, por se BE këmbëngul për zgjedhje të besueshme, të drejta, transparente.


“Edhe pse përmirësimi i legjislacionit zgjedhor është pjesë e një axhende më të gjerë reformash, zgjidhjet specifike të propozuara aktualisht nga qeveria nuk janë një detyrim ndaj Bashkimit Evropian, as nuk përbëjnë një kusht për përparimin në procesin e negociatave. Këto janë propozime të tyre, jo evropiane”- thonë nga LSDM.

Por kryeministri hedh poshtë këto pretendime, duke propozuar që të dëgjohet deklarata e komisares për zgjerim Marta Kos, e cila siç tha Mickoski, e ka deklaruar një gjë të tillë gjatë vizitës së saj të fundit në Shkup.

E Majta akuzon LSDM-në se, përmes një marrëveshjeje me VMRO-DPMNE-në, po pengon ndryshimin e Kodit Zgjedhor për të ruajtur modelin aktual që u shkon në favor. Sipas saj, LSDM refuzoi bashkimin opozitar për një njësi zgjedhore, duke i dhënë përparësi marrëveshjes me Mickoskin.

“Secila prej këtyre partive, përmes njësive zgjedhore të vizatuara me saktësi kirurgjikale, synon të mbrojë pozitën e vet dhe të sigurojë mandate deputetësh që nuk pasqyrojnë peshën reale të mbështetjes së qytetarëve “- nënvizon E Majta. 

Dallimi mes partive mbetet votimi i diasporës. Pushteti kërkon që diaspora të votojë online ose me postë. Në të njëjtën linjë është edhe BDI-ja opozitare. Por LSDM-ja thotë se me këtë VMRO DPMNE-ja tenton vjedhjen e votave. Lidhja Shqiptare e Ziadin Selës, kërkon që votimi të bëhet në cilëndo formë por të vlejë edhe për zgjedhjet lokale./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button