Bërvenica do të zgjedhë kryetarin e ri në tetor, procedurat ligjore kanë nisur
Gazetare: Ajnur Bafqari
Komuna e Bërvenicës pritet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme gjatë muajit tetor për zgjedhjen e kryetarit të ri. Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se procedurat ligjore tashmë janë në rrjedhë, ndërsa pret që Kuvendi deri në fund të këtij muaji të shpallë zyrtarisht zgjedhjet.
“Ne si qeveri e miratuam konkluzionin, e dorëzuam në Kuvend, mendoj se këtë muaj kuvendi ngadalë por sigurt do t’i shpallë zgjedhjet dhe diku në muajin tetor të ndodhin ato zgjedhje”- deklaroi kryeministri Mickoski.
Nevoja për organizimin e tyre erdhi pas vdekjes së kryetarit të deritanishëm, Jovica Ilievski, ndërsa deri në zgjedhjen e pasuesit të tij, komuna do të udhëhiqet nga një ushtrues detyre i emëruar nga Këshilli Komunal.
Këshilli i Komunës së Bërvenicës, dy ditë më parë në seancë të jashtëzakonshme solli vendim që Robert Millosheski, që deri më tani kishte udhëhequr me Këshillin të udhëheqë me Komunën e Bërvenicës, ndërsa në vend të tij si kryetar i Këshillit të vendoset këshilltari Mirosllav Dailovski.
Ndryshe, në mbledhjen e 7 korrikut, Qeveria e Maqedonisë së Veriut e shqyrtoi dhe e miratoi informacionin e dorëzuar nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale lidhur me krijimin e bazës ligjore për ndërprerjen e mandatit të kryetarit të Komunës së Bërvenicës, Jovica Ilievski, i cili ndërroi jetë në qershor të këtij viti. Ilievski ishte kryetar i Komunës së Bërvenicës që nga viti 2021, ai e fitoi mandatin e dytë në krye të kësaj komune në zgjedhjet e fundit lokale në 2025. /Alsat.mk








