Spitali i Kërçovës, Ministria e Shëndetësisë njofton se është hapur prokurimi për fazën e dytë

Pas disa tentimesh Ministria e Shëndetësisë sot u përgjigj në pyetjet e Televizionit Alsat për ndërtimin e spitalit në Kërçovë, i mbetur pezull për rreth tre dekada. Megjithatë, jo të gjitha pyetjet morën përgjigje. Nga ky dikaster nuk u përgjigjën se sa para janë investuar  në fazën e parë të projektit dhe as sa do të nevojiten për përfundimin e tij. Informojnë se është hapur prokurim publik, po nuk jepet asnjë datë konkrete se kur do të nisin punimet dhe aq më pak se kur të njëjtat do të përfundojnë.

Ministria e Shëndetësisë
“Një prokurim publik për ndërtimin e fazës së dytë është në proces dhe procesi është në fazën e vlerësimit. Faza e parë e ndërtimit ka përfunduar, objekti është karabinë, ndërsa një pjesë e instalimeve janë kryer. Në fazën e dytë, duhet të  finalizohet gjithçka deri në përfundimin e plotë të ndërtesës.”

Në pamjet e regjistruara nga kamera e Televizionit Alsat një ditë më parë vërehej se investimet e bëra në fazën e parë, ose janë në fazë shkatërrimi ose janë vjedhur. Dritaret apo radiatorët në disa pjesë të objektit mungonin. Spitali i ri në Kërçovë është përdorur shpeshherë gjatë këtyre viteve si premtim politik, mirëpo që nga viti 1989-90 ky projekt nuk arriti asnjëherë të përfundohet. Projekti u miratua nga Qeveria e RM-së dhe për atë u ndanë mjete në vlerë prej 3.7 milion euro duke theksuar vitin 2014 si afat të fundit për përfundimin e punimeve. Më pas nga institucionet ishte dhënë një tjetër vit, 2017-ta si afat kur ky projekt do të mund të vihej në funksion. Megjithatë edhe tre vite më vonë, tashmë kur vendi po kalon nëpër një pandemi me mijëra të infektuar çdo ditë, askush nuk jep një përgjigje se kur Kërçova do të bëhet me spital të ri.

Përgatiti: Evi Shkopi

LEXO EDHE:

Back to top button