200 kompani paguajnë tatimin e solidaritetit, Kovaçevski: Padi për ata që fshehin fitimin

200 kompani paguajnë tatimin e solidaritetit, Kovaçevski: Padi për ata që fshehin fitimin

Gazetar: Ile Petrevski

Ligji i propozuar për tatimin e solidaritetit do të përfshijë rreth 200 kompani që vitin e kaluar kanë pasur fitim ekstra që i kalon 10 milionë euro, por edhe ato që kanë 20 për qind rritje të fitimeve krahasuar me tre vitet e mëparshme.

Këto kompani do të duhet të paguajnë 30 për qind të fitimeve shtesë dhe t’i kthejnë ato para në ekonomi përmes masave dhe programeve të reja për kompanitë. Për momentin mbetet dilema nëse ky tatim do të vlejë edhe për kompanitë që u hapën vitin e kaluar dhe aktiviteti i të cilave është shitja e energjisë elektrike. Këto firma kanë fitime të larta, por nuk mund të krahasohen me vite më parë.

“Nuk do të hyja saktësisht për cilat kompani sepse ligjin nuk mund ta bësh me qëllim, të përfshijë një kompani dhe të mos përfshihet një kompani tjetër”, tha Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

A është kusht fitimi prej 10 milionë euro?

“Fitimi prej 10 milionë euro është kusht”, u përgjgij Kovaçevski.

Disa nga shoqatat e biznesit thanë dje se janë kundër këtij tatimi të ri me arsyetimin se ekonomia nuk ka nevojë për tatime të reja, por kërkojnë nga autoritetet që të zbulojnë dhe të vendosin në sistem ato kompani që janë pjesë e ekonomisë gri.

“Rritja e tatimeve dhe situata e krizës janë faktorë të rëndësishëm që kontribuojnë në rritjen e ekonomisë joformale, gjë që krijon dyshime nëse zgjidhja për vendosjen e tatimit të ri do të arrijë qëllimin e vendosur nga politikëbërësit”, thonë nga Lidhja e Odave Ekonomike.

Kryeministri Kovaçevski konsideron se zgjidhja e re ligjore për tatimin e fitimit shtesë nuk do ta nxisë ekonominë joformale kurse shton se nëse një biznesmen tenton të mos regjistrojë fitim, është evazion fiskal dhe pason gjobë e rëndë. Ndryshe, me këtë ligj do të bëhet e ditur se cilat kompani kanë përfituar në kurrizin e qytetarëve gjatë krizës energjetike, e përcjellë me inflacion të lartë që shkaktoi rënie të standardit dhe rënie të fuqisë blerëse të qytetarëve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button