Shoqata e pacientëve me fibrozë cistike paralajmëron protestë

Shoqata e pacientëve me fibrozë cistike paralajmëron protestë

Gazetare: Melihate Rustemi

Të prekurit me fibrozë cistike shprehen të revoltuar ndaj vendimit të ministrit të Shëndetësisë, Bekim Sali dhe atij të Financave, Fatmir Besimi që terapinë për këtë sëmundje ta marrin vetëm 8 pacientë dhe jo 30, aq sa kërkohej. Nga Shoqata për fibrozë cistike thanë se po luhet me shëndetin e pacientëve. Për të shtunën në mesditë kanë paralajmëruar protestë para Qeverisë.

“Kompetentët, herën tjetër kur do t’i marrin vendimet të marrin një pipë dhe përmes saj të marrin frymë dhe ta kuptojnë urgjencën e gjendjes sonë. Shpresoj që në atë moment do të miratojnë zgjidhje më të shpejtë dhe asnjë jetë nuk do të jetë e humbur”, tha Ivana Atanasovska, Shoqata për fibrozë cistike.

Paraprakisht, ministri i Shëndetësisë Bekim Sali bëri të ditur se terapinë për fibrozë cistike do ta marrin vetëm pacientët me gjendje të rëndë. Për të tjerët, sipas Sali, pritet të bëhen ndryshime ligjore të cilat do të lehtësojnë procedurat e sigurimit të këtij ilaçi.

“Jo të gjithë janë pacientë potencial të cilët kanë nevojë për ilaçin “Trikafta”. Për momentin, për shkak të urgjencës së situatës 8 pacientë janë në gjendje më të rëndë dhe diku 22 pacientë janë në gjendje të mesme të rëndë. Për shkak se fillojmë me këtë lloj trajtimi dhe terapie ne jemi më shumë të fokusuar te pacientët me gjendje të rëndë, natyrisht brenda kohës për shkak të ndryshimeve të ligjit që do bëhet dhe lehtësimeve për komunikim direkt me prodhuesin e këtij ilaçi do të mundemi edhe në të ardhmen ti trajtojmë edhe pacientët tjerë por kur do të bëhet ajo, në aspekt kohor nuk kisha dashur të kufizohemi”, deklaroi Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.

Sipas ministrit Sali, numri i pacientëve me fibrozë cistike është rreth 130. Nga Shoqata e Pacientëve me këtë diagnozë gjithashtu thanë se numri i pacientëve është në rritje pikërisht për shkak të stresit që përjetojnë nëse do të ketë apo jo një vendim dhe zgjidhje për problemin e tyre. Siç thanë nga Shoqata, një stres i tillë, përkeqëson shëndetin e tyre mendor dhe fizik. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button