26 vjet nga masakra e Reçakut, Kurti: Serbia, përgjegjëse për masakrën

26 vjet nga masakra e Reçakut, Kurti: Serbia, përgjegjëse për masakrën

Gazetar: Shkelzen Aqifi

Familjarë, qytetarë të shumtë dhe krerët e shtetit të Kosovës bënë homazhe sot në Reçak, në 26 vjetorin e masakrës së forcave serbe të kryer ndaj popullatës civile në këtë fshat.

Krerët shtetërorë të Kosovës kërkojnë drejtësi për viktimat e masakrës së Reçakut. Presidentja Vjosa Osmani tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq po vazhdon të mohojë masakrën e Reçakut, siç theksoi ajo, në kohën kur njerëzit po masakroheshin në vitin 1999, ai i arsyetonte ato nën petkun e ministrit të Informacionit.

“Kur njerëzit e Reçakut masakroheshin, në Serbi propagandën për arsyetimin e masakrave të tilla e bënte ministri për Informacionin me emrin Aleksandar Vuçiq. Sot po i njëjti nën petkun e presidentit të Serbisë, vazhdon të mohojë masakrën e Reçakut, mohon atë që bota e pa me sy dhe e quan Millosheviqin si njeri të madh me qëllime të mira. Si propagandues që është, në njërën anë flet për paqe dhe në një tjetër dërgon forcat paramilitare terroriste për të sulmuar Kosovën. Por sikurse në vitet e 90-ta, njësoj edhe sot, Kosova ka djem dhe vajza që i dalin zot atdheut dhe mbrojnë çdo pëllëmbë të saj”, deklaroi Vjosa Osmani, Presidente.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se gjykimi dhe ndëshkimi i kriminelëve të masakrës së Reçakut duhet të ndodh, qoftë edhe në mungesë të tyre.

“Varret në tokë, vragat në trup dhe shpirt, ndërkaq vrasësit në liri në Serbi. Varret e hapura në tokë, plagët e hapura në shpirt, vragat e mbyllura në trup, arkivat e mbyllura në Beograd. Krimet e kryera gjatë luftës nuk ka qenë e thënë të ndodhin. Nuk është dashur të ndodhin. Ajo çka duhet të ndodh për pasojë është drejtësia. Gjykimi dhe ndëshkimi i kriminelëve, qoftë edhe në mungesë. Në vitet 1998-1999 thuhej se përfundojë beteja por jo edhe lufta. Në raport me Serbinë tash duhet të thuhet e kundërta. Ka përfunduar lufta, por jo edhe beteja. Ka mbaruar lufta për çlirim por edhe jo beteja për drejtësi”, tha Albin Kurti, Kryeministër i Kosovës.

Ambasadori Uilliam Uoker, i cili dokumentoi para botës gjenocidin serb në Kosovë tha se masakra e Reçakut përfaqëson të kaluarën e tmerrshme që Serbia ka bërë në Kosovë, por edhe të ardhmen e ndritshme që do të ketë Kosova. Ai para të pranishmëve tha se me kënaqësi ka pranuar kërkesën e presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti për të marrë nënshtetësinë e Kosovës.

“Sa herë jam këtu dua të them se Reçaku jo vetëm që përfaqëson këtë të kaluarën të tmerrshme ku serbët i kanë bërë gjëra të tmerrshme shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera. Për mua, Reçaku përfaqëson diçka shumë të ndritshme dhe është e ardhmja e Republikës së Kosovës… Dje presidentja dhe kryeministri më kërkuan nëse unë mund të bëhesha qytetar i Kosovës. Siç mund të merrni me mend, përgjigja për atë pyetje ishte natyrisht po. Unë me krenari do të varrosesha këtu në Reçak”, u shpreh Uilliam Uoker, Ish Ambasador.

Në fshatin Reçak, forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë, më 15 janar të vitit 1999. Numri më i madh i viktimave u gjet në Kodrën e Bebushit, ndërsa të vrarë kishte edhe në pjesë të tjera të fshatit. I pari që i tha botës se aty u krye krim kundër njerëzimit, ishte shefi i atëhershëm i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker. Ngjarja e rëndë në këtë fshat nxiti reagimin e ndërkombëtarëve më shumë se dy dekada më parë, ku NATO vendosi të sulmoi caqet ushtarake policore serbe. Të gjitha të dokumentuara, por Serbia ende e mohon masakrën e 15 janarit 1999 e cila shënoi kthesën e madhe për historinë e Kosovës. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button