Qytetarë të shumtë kanë protestuar sërish mbrëmë në sheshin e Prishtinës për të kundërshtuar vendimin e Gjykatës në Hagë ndaj krerëve të UÇK-së të cilët u dënuan me 81 vjet burg. Ndërkohë Organizata e Veteranëve të luftës së UÇK-së paralajmëroi protestë të re masive për të mërkurën ndërsa parashihet që protesta të shtrihet edhe në qytete të tjera.
“Do të vazhdojmë me protesta. Besojmë të hënën do të mblidhet Kryesia prapë. Edhe do të marrim vendim për protestën e radhës. Po tash t’ia shohim, ndoshta do t’i ndërrojmë idetë… Ka mundësi që të mërkurën vendosim me pasë protestë. Por kemi menduar me decentralizua protestën. Ka mundësi me realizua në komuna ku i kemi degët tona që funksionojnë atje,” tha Gazmend Syla, OVL UÇK.
Syla ka deklaruar se, nëse shteti e merr seriozisht mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në procesin e apelit, ai beson se ata do të dalin fitimtarë.
“Ky dënim është dhënë mbi bazën e materialeve që i ka dërgu prokuroria e Serbisë, prokurorisë, Gjykatës Speciale, gjykata i ka marrë për trajtim. Fare nuk ekzistojnë as ato farë shqyrtimet që i thoshin, janë të pabaza krejt. Provoi me dy-tri raste në njëfarë forme me manipulua me opinion, me thënë, ‘shihni, këta jo’, edhe njëfarë forme provoj me thënë, këta janë individë, po jo UÇK-ja… Nëse shteti jonë e merr seriozisht, jemi të bindur se në apel do të jemi fitimtarë dhe nuk kemi asnjë dilemë këtu.” – Gazmend Syla, OVL UÇK.
Syla tha se deputetët duhet të ndryshojnë ligjin për Gjykatën Speciale, në mënyrë që të mundësohet monitorimi i procesit. Ndër kërkesat e publikuara dje në protestë, OVL e UÇk-së ka edhe shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla. /Alsat.mk








