Kaos në Kuvendin shqiptar, opozita ndez tymuese

Kaos në Kuvendin shqiptar, opozita ndez tymuese

Gazetare: Xhesika Salahi

Vazhdojnë tensionet dhe protestat e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë. Foltorja e kuvendit është mbuluar nga karriget e përmbysura dhe Garda e Republikës, në gatishmëri për të mos lejuar përplasje fizike mes opozitës dhe ministrave. Këtë herë, në strategjinë e opozitës është ndezja e tymueseve në sallë.

Pavarësisht protestës së opozitës dhe qëndrimit në këmbë të deputetëve socialist, mazhoranca vijoi me miratimin e ligjeve të parashikuara në rendin e ditës. Projektligjet e votuara u miratuan me 75 vota “pro”. Ndërkohë, propozimet e opozitës u rrëzuan nga socialistët.

Ministri i Brendshëm, Balla e ka gjykuar ndezjen e tymuesve në sallë si vepër jo të ligjshme, penale.

“Ta harroni ju se Shqipëria mund të kthehet më pas. Shqipëria e ka marrë vendimin e vet, vetëm përpara, nuk kthehet më mbrapa. Përpjekja juaj për të dëmtuar imazhin e Shqipërisë është një përpjekje e dështuar. Prandaj, duke e përmbyllur, dua t’i kujtoj disa prej deputetëve që u përfshin në akte të paligjshme. Vendosja e flakadanëve, e lëndëve kimike, në salla të mbyllura, dhe të hapura nëse doni, është një vepër penale”, deklaroi Taulant Balla, Ministër i Brendshëm.

Sipas deputetes së PD, Tabaku, mazhoranca rrëzoi me forcën e kartonit projektligjet, vetëm për faktin se u propozuan nga opozita.

“Iniciativa që unë kam prezantuar, që unë kam mbrojtur për një vit, për luftën ndaj korrupsionit, që janë edhe në përputhje me standardet e BE-së, me legjislacionin e BE-së, të cilët janë standardet më të mira, sesi mundet që kontratat koncensionare ne t’i kontrollojmë më mirë, që mos të kemi fonde ofshor, të mos kemi probleme që ndodhin me inceneratorin. Janë shumë të mira, por ne nuk i votojmë se i ka propozuar opozita”, u shpreh Jorida Tabaku, Deputete e Partisë Demokratike.

Për ankesat e opozitës, mazhoranca kërkoi t’i drejtohen gjykatës kushtetuese. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button