5 të arrestuar në Shkup për dyshime mbi nxitje dhe përhapje të ideologjisë terroriste

Gazetare: Suna Ismaili Rexhepi

5 persona të moshës 22-34 vjeç janë arrestuar nën dyshimin për veprën penale terrorizëm, ka njoftuar Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Janë kryer bastisje në pesë lokacione në Shkup, përfshirë edhe burgun e Idrizovës, ku dy nga të dyshuarit po vuanin dënime për vepra të tjera penale. Sipas MPB-së, të dyshuarit janë personat me inicialet J.K. 30 vjeç, J.M, 22 vjeç, M.T. 23 vjeç, R.K gjithashtu 23 vjeçar dhe G.M. 34 vjeçar.

“Sipas provave të mbledhura, i dyshuari i parë në fund të vitit 2024 ka formuar një kanal interneti dhe një grup në një platformë sociale, në të cilin kanë qenë anëtarë edhe të dyshuarit e tjerë. Gjatë viteve 2025 dhe 2026, përmes këtyre kanaleve të komunikimit, të dyshuarit kanë shpërndarë përmbajtje me të cilën promovohej dhe mbështetej ideologjia e organizatës terroriste ISIS dhe organizatave të tjera terroriste të lidhura ideologjikisht, si dhe materiale me ideologji xhihadiste. Qëllimi ka qenë përhapja e propagandës, indoktrinimi ideologjik dhe glorifikimi i veprimeve terroriste dhe kryerësve të tyre”, thanë nga Prokuroria.

– I dyshuari i parë në fund të vitit 2024 ka formuar kanal komunikimi
-Kanë shpërndarë përmbajtje me të cilën promovohej ideologjia e ISIS-it

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar pajisje elektronike dhe prova të tjera që do të përdoren në hetim. Aksioni vjen si rezultat i koordinimit të Prokurorisë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në bashkëpunim me Sektorin për Luftimin e Terrorizmit, Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit dhe Agjencinë për Siguri Kombëtare. Gjykata ka shqiptuar masën e paraburgimit për njërin nga dyshuarit dhe masën e arrestit shtëpiak për një tjetër./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button