Akuza dhe përplasje politike mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së për gjendjen e ekonomisë dhe standardin e jetesës në vend

Gazetar: Angell Dimovski

Për gati dy vjet, e vetmja gjë që është rritur në shtet janë borxhet e VMRO-DPMNE-së. Kështu LSDM-ja opozitare e përshkroi qeverisjen gjatë kësaj periudhe. Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, akuzoi se standardi po ulet çdo ditë, varfëria është në rritje, ndërsa gjithnjë e më shumë njerëz, sidomos të rinj, po shpërngulen nga vendi. Pagat në institucionet shtetërore vonohen dhe paguhen vetëm rreth datës 20 të muajit, ndërsa shteti detyrohet rreth 200 milionë euro për kthimin e TVSH-së.

“Çmimet në markete po rriten pa kontroll. Kjo qeveri, pas rritjes së çmimeve të burimeve energjetike dhe karburanteve, nuk bëri asgjë për ta parandaluar rritjen e çmimeve. Ne paralajmëruam se, nëse fillon spiralja e rritjes së çmimeve, ato nuk do të kthehen më kurrë në nivelin fillestar. Inflacioni është dy herë më i lartë se ai në Evropë. Shporta e konsumit ka arritur pothuajse 70 mijë denarë, ndërsa familjet që jetojnë me pagë minimale nuk mund ta përballojnë muajin”, deklaroi Venko Filipçe, kryetar i LSDM-së.

Sa i përket ekonomisë, bujqësisë dhe pagave, Filipçe dhe LSDM-ja vetëm mund të shikojnë dhe të mësojnë se si sanohen pasojat e shkatërrimit ekonomik që lanë pas gjatë shtatë viteve të qeverisjes së tyre u kundërpërgjigjën nga VMRO-DPMNE-ja në pushtet.

“Sa i përket rritjes së pagave, LSDM-ja dhe Venko Filipçe nuk kanë çfarë të thonë, sepse që nga marrja e pushtetit janë nënshkruar disa marrëveshje kolektive dhe janë miratuar vendime për rritjen e pagave të të gjithë të punësuarve në disa sektorë, si arsimi, mbrojtja, shëndetësia e kështu me radhë. Deri në fund të mandatit, këto paga do të rriten nga 40 deri në 50 për qind”, thanë nga VMRO-DPMNE.

–  Me marrjen e pushtetit janë nënshkruar disa marrëveshje kolektive
–  Janë miratuar vendime për rritjen e pagave
–  Pagat në këta sektorë do të rriten nga 40% deri në 50%.

Nga partia në pushtet shtuan se, gjatë qeverisjes së tyre, Bruto Prodhimi Vendor  ka shënuar rritje, me një normë prej 3 për qind ose më shumë./Alsat.mk.

LEXO EDHE:

Back to top button