63 viktimat e zjarrit në diskotekën “Pulse” u përkujtuan në Koçan
Gazetar: Petar Çaushevski
63 viktimat e zjarrit në diskotekën “Pulse” u përkujtuan në Koçan me liturgji fetare, ndërsa në Shkup me konferencë ndërkombëtare. Kryeministri Hristijan Mickoski, në fjalimin e tij, lexoi emrat e viktimave dhe theksoi se tragjedia ka lënë plagë të thellë në shoqëri. Ai kërkoi nga prokuroria të zbardhë të vërtetën për Koçanin ndërsa siguroi se do të ketë përgjegjësi institucionale.
“Shteti ka obligim ta mësojë të vërtetën dhe ta sigurojë drejtësinë. Këtë ua kemi borxh viktimave. Këtë ua kemi borxh familjeve të tyre. Por këtë ua kemi borxh edhe gjeneratave të ardhshme. Prandaj institucionet do të vazhdojnë të punojnë me përgjegjësi për të gjitha rrethanat që lidhen me tragjedinë, me qëllim që drejtësia të arrihet dhe besimi në institucione të forcohet”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, u shprehu mirënjohje mbi 400 punonjësve shëndetësorë nga shëndetësia publike dhe private në vend, si dhe institucioneve mjekësore nga jashtë që kanë ndihmuar në trajtimin e të lënduarve nga zjarri.
“Profesionalizmi, solidariteti dhe humanizmi juaj do të mbeten thellë në kujtesë. Ju falënderoj sinqerisht shumë për këtë. Në momentet kur çdo minutë nënkuptonte shpresë, ju ishit aleatët e vërtetë, të përkushtuar në luftën për çdo jetë njerëzore tek ne”, tha Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.
Ministri i Punëve të Jashtme, Timço Mucunski, theksoi se ndihma e shteteve fqinje dhe evropiane në trajtimin e pacientëve dëshmoi rëndësinë e solidaritetit ndërkombëtar. Konferenca ndërkombëtare, e organizuar nga Qeveria, po mbahet në Shkup, në përvjetorin e tragjedisë në Koçan, ku nga zjarri në diskotekën ilegale “Pulse” humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 u lënduan./Alsat.mk.








