A mund ta rrëzojnë regjimin protestat në Iran?

A mund ta rrëzojnë regjimin protestat në Iran?

Imazhet që na vijnë këto ditë nga Irani janë prekëse dhe disi mashtruese. Ato përpiqen të tregojnë forcën dhe guximin e një brezi të ri iranianësh, të cilët duan qartazi të rrëzojnë një regjim tejet represiv. Lëvizja e protestës e lindur këtë herë nga zemërimi që shkaktoi vdekja e Mahsa “Jina” Amini nga e ashtuquajtura “polici e morali”, dhe e nxitur kryesisht nga gratë që kërkojnë një pjesëmarrje të barabartë në shoqërinë e tyre, synon të arrijnë atë që nuk kanë mundur ta arrijnë dekada të tëra “reformiste”.

Asnjë politikë e moderuar dhe as shpërthimet e përsëritura të protestave nuk kanë mundur ta bëjnë diçka të tillë në të kaluarën. Megjithatë, ato janë gjithashtu disi mashtruese pasi sugjerojnë se ndryshimi do të ndodhë këtë herë. Atëherë, cilat janë shanset që marshuesit të kenë sukses në thirrjet e tyre për Jin, Jiyan, Azadi apo Zan, Zendegi, Azadi – “Gra, jetë, liri”, përkatësisht në gjuhën kurde dhe atë perse?
Sidoqoftë, mënyra se si ndodhi revolucioni i viteve 1978-1979 kundër Shahut, është një shembull paralajmërues. Edhe shembuj të tjerë të dekadës së fundit mbi përpjekjet për të rrëzuar nga pushteti një diktator të pamëshirshëm, nga Bjellorusia në Siri dhe Venezuelë, nuk janë veçanërisht inkurajuese.

Por kjo nuk do të thotë se njerëzit dhe qeveritë në mbarë botën, nuk duhet të tregojnë solidaritetin e tyre, dhe të bëjnë çfarë kanë në dorë për të mbështetur tranzicionin paqësor të Iranit drejt një shoqërie të lirë, demokratike dhe të begatë. Por për të pasur ndryshime pozitive në këtë vend, duhet vetëm shumë më tepër sesa vazhdimi i protestave në rrugë dhe thirrjet për sanksione të reja ndaj regjimit iranian.

Është e qartë se protestat aktuale ndryshojnë nga valët e mëparshme, pasi ato po bashkojnë njerëz nga të gjitha sferat e jetës dhe qytetet në të gjithë vendin. Ata nuk po kërkojnë thjeshtë reforma, por po shfaqin përbuzjen e tyre të plotë për Republikën Islamike. Megjithatë, në dallim nga Lëvizja e Gjelbër e vitit 2009, dhe ngjashëm me trazirat e shkaktuara nga vështirësitë ekonomike gjatë viteve 2017-2019, atyre u mungojnë udhëheqësit dhe një axhendë politike e qartë.

Pikërisht për shkak të parullave kundër sistemit që janë brohoritur në këto marshime,
regjimi është i vendosur të mos lëvizë asnjë centimetër nga qasja e tij. Ai e ka përmirësuar kapacitetin për ta shtypur mendimin kundër, nëpërmjet mbytjes prej një dekade të aktivizmit qytetar, rritjes së kontrollit ndaj internetit.

Por edhe përmes taktikave të dhunshme të policisë, që nëse është e nevojshme, i dërgon banditët e saj të veshur si civilë për të bërë punët më të ndyra. Madje për të mposhtur lëvizjet që në fillim, ajo ka praktikuar edhe arrestimin “parandalues” të avokatëve, gazetarëve dhe aktorëve të shoqërisë civile.
Pavarësisht disa lëshimeve mbi çështjen e “veshjes së duhur” për gratë, “xhindi” ka dalë tashmë jashtë “shishes”. Duke treguar një shpërfillje të dukshme për jetën e njerëzve, regjimi e ka bërë të qartë se nuk është i gatshëm për ndonjë reformë thelbësore sipas asaj që po kërkojnë njerëzit në rrugë.
Për më tepër, ata që janë përgjegjës për shtypjen brutale të protestave janë me shpatulla pas murit, pasi e dinë se me rritjen e numrit të të vrarëve nuk kanë gjasa që t’i shpëtojnë ndëshkimit në rast se nuk vazhdojnë të qëndrojnë në pushtet. Ata nuk duan që të shiten nga regjimi nëse nivelet më të larta të sistemit vendosin se duhet një farë kompromisi me protestuesit, dhe as nuk dëshirojnë të mbajnë përgjegjësi pas një përmbysjeje të mundshme të pushtetit.

 

LEXO EDHE:

Back to top button