Këngëtarja e famshme Adele është shfaqur në ballinat e revistave “Amerikan Vogue” dhe “British Vogue” të enjten, ku u tregua e sinqertë duke folur për shumë gjëra nga jeta e saj.
Ajo foli për zhgënjimin e saj nga leximi i komenteve të bëra nga gratë për humbjen e saj të jashtëzakonshme të peshës, në total prej 45 kilogramëve.
Sidoqoftë, ajo pranoi se e keqja e të gjithave ishte të dëgjosh gra të tjera që bënin “komente brutale” për pamjen e saj në ndryshim.
“Trupi im është objektifikuar gjatë gjithë karrierës sime”, tha ajo për “American Vogue”.
“Nuk është vetëm tani. Unë e kuptoj pse është një tronditje. Unë e kuptoj pse disa gra veçanërisht janë lënduar”, shtoi ajo.
Këngëtarja britanike vazhdoi tutje: “Vizualisht unë përfaqësova shumë gra. Por unë jam akoma i njëjti person”, duke shtuar se pjesa më e keqe ishte: “Komentet më brutale po i bënin gratë tjera për trupin tim. Isha shumë e zhgënjyer me këtë. Kjo më lëndoi ndjenjat”.
Duke folur për humbjen e saj të jashtëzakonshme në peshë gjatë një periudhe dy vjeçare, ajo tha: “Ishte për shkak të ankthit tim. Duke punuar, thjesht do të ndihesha më mirë.
Asnjëherë nuk kishte të bënte me humbjen e peshës, por që të bëhesha e fortë dhe t’i jepja vetes sa më shumë kohë çdo ditë pa telefonin tim. U bëra mjaft e varur nga ajo. Ushtroj dy ose tri herë në ditë”.
Në maj të vitit 2020, Adele u bë numri një në listën e postimeve më në trend në “Twitter”, kur publikoi një fotografi në “Instagram” ku dukej tepër ndryshe.
Shumë fansa reaguan ndaj fotografive, të cilat i kishte postuar Adele, teksa disa thanë se ata “kishin humbur” Adelen e vjetër, dhe të tjerët shkuan më tej për të kritikuar humbjen e saj në peshë.
Megjithatë, Adele ka theksuar se ajo është “ende i njëjti person”.
Këngëtarja 33-vjeçare, gjithashtu foli edhe për divorcin e saj nga Simon Konecki, duke thënë se “do të ishte e mjerë po të mos e vendoste veten të parën”.
Adele ditë më parë publikoi një trajler në rrjetet sociale të këngës së saj të re, “Easy on Me”, e cila do të publikohet e plotë më 15 tetor. Edhe albumi i saj i ri i emërtuar “30” pritet të publikohet, por që ende nuk dihet data e saktë.










