Afro 14 milion detyrime të papaguara, Revizioni zbulon parregullsi në FIZHT

Afro 14 milion detyrime të papaguara, Revizioni zbulon parregullsi në FIZHT

Gazetare: Ajnur Bafqari

Revizioni zbulon parregullsi serioze në Fondin për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik (FIZHT).  Mbi 13 milion e 800 mijë euro detyrime të papaguara si dhe detyrime shtesë të paevidentuara në shumën prej mbi 152 mijë euro që lidhen me kontrata pune, vlerësime projektesh dhe shpërblime për organet drejtuese.

“Edhe pse më 31 dhjetor 2024, detyrimet ndaj furnizuesve në vend janë paraqitur në shumën prej 853.964.000 denarë, gjegjësisht 13.863.000 euro , me kontrollimin e kryer në dokumentacionet e bashkangjitura dhe nga zbatimi i procedurave analitike janë konstatuar detyrime shtesë të pa evidentuara për arsye të ndryshme, dhe këto janë: kontrata për punë, vlerësimi i projekteve, dhe shpërblimet për organet drejtuese, në shumën totale prej 9.369 000 denarë gjegjësisht 152.094 euro”, thonë nga Enti Shtetëror i Revizionit.

Raporti i revizionit përfshinë periudhën kur me këtë Institucion ka drejtuar kuadri i BDI-së Festim Halili si dhe ushtruesi aktual i detyrës Nikolla Dodov. Sipas raportit të revizionit për vitin 2024, fondi nuk ka vendosur bazë të centralizuar me të dhëna për mbështetjen financiare, përmes së cilës do të monitorohej zbatimi i instrumenteve individuale të financimit, respektivisht ndjekje sistematike dhe gjithëpërfshirëse të rezultateve të projekteve të mbështetura pas përfundimit të tyre, si dhe nuk ka kryer analizë të thelluar afariste dhe financiare, duke vënë në pikëpyetje efektivitetin e përdorimit të mjeteve publike.

“Janë konstatuar gjendje, parregullsi dhe mos harmonizim në funksionimin dhe për shkak të rëndësisë së tyre është shprehur opinion i pavolitshëm për vërtetësinë dhe objektivitetin e raporteve financiare për vitin 2024 dhe për pajtueshmërinë me rregullativën ligjore, udhëzimet dhe politikat e vendosura për llogaritë e buxhetit themelor”, thuhet në raportin e Entit Shtetëror të Revizionit.

Revizioni ka evidentuar edhe parregullsi në zbatimin e thirrjeve publike, mungesë deklaratash për konflikt interesi nga zyrtarë dhe drejtues, probleme në përzgjedhjen e vlerësuesve të projekteve, si dhe vonesa të konsiderueshme në monitorim dhe pagesa, që kanë sjellë ndalesë ose ngadalësim të realizimit të projekteve. Sipas të dhënave, deri më 31 dhjetor 2024, Fondi ka pasur mbi 349 milionë denarë detyrime të papaguara ndaj përfituesve, ndërsa një nga arsyet kryesore është zvogëlimi i buxhetit për subvencione dhe transfere për 32 për qind. Enti Shtetëror i Revizionit rekomandon vendosjen urgjente të mekanizmave për monitorimin e efekteve të fondeve të dhëna dhe arkëtimin e të ardhurave pas përfundimit të projekteve, me qëllim rritjen e transparencës dhe përdorimin efikas të mjeteve publike. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button