Agjenti i Bruce Willis i ka mohuar spekulimet se ylli hollivudian i ka shitur të drejtat për fytyrën e tij

Agjenti i Bruce Willis i ka mohuar spekulimet se ylli hollivudian i ka shitur të drejtat për fytyrën e tij. Javën e kaluar, u raportua gjerësisht se aktori, në marrëveshjen e parë të këtij lloji, ia kishte shitur të drejtat për fytyrën e tij një kompanie të quajtur Deepcake.

Megjithatë, një zëdhënës i tij i tha BBC-së se ai nuk kishte “asnjë partneritet apo marrëveshje” me kompaninë, ndërsa një përfaqësues i kompanisë ka theksuar se vetëm aktori kishte të drejtat për fytyrën e tij.

Willis njoftoi tërheqjen e tij nga aktrimi në mars të këtij viti, pasi u diagnostikua me afazi, një çrregullim që ndikon në të folur.

Deepcake përdor inteligjencën artificiale (AI) dhe teknologjinë e të mësuarit të makinerive për të krijuar video realiste – shpesh të të famshmëve ose politikanëve. Për aktorët që nuk mund të aktrojnë më, teknologjia ka potencialin të ndryshojë lojën.

Më 27 shtator, Daily Mail raportoi se një marrëveshje ishte arritur midis Willis dhe Deepcake.

“Dy herë fituesi i Emmy, Bruce Willis, mund të shfaqet ende në filma pasi ka shitur të drejtat e tij të imazhit për Deepcake”, shkroi gazeta.

“Bruce Willis është bërë ylli i parë i Hollywoodit që ka shitur të drejtat e tij për të lejuar krijimin e një ‘binjaku digjital’ të tij për t’u përdorur në ekran”, shkruante gazeta tjetër britanike Telegraph.

Por, duket se nuk është kështu. Ajo që është e vërtetë është se një “deepfake” e Bruce Willis u përdor për të krijuar një reklamë për Megafon, një kompani ruse e telekomunikacionit, vitin e kaluar.

Teknologjia e përdorur në reklamë u krijua nga Deepcake, e cila e përshkruan veten si një kompani e AI e specializuar në falsifikime të thella. Kompania ka treguar për BBC se kishte punuar ngushtë me ekipin e Willis në reklamë, transmeton KosovaPress.

“Ajo që bëri patjetër është se na dha pëlqimin (dhe shumë materiale) për të bërë ‘binjakun’ e tij digjital”, thanë ata.

Kompania thotë se ka një bibliotekë unike me njerëz të famshëm, ndikues dhe figura historike me rezolucion të lartë.

Në faqen e saj të internetit, Deepcake promovon punën e vet me një citim të dukshëm nga aktori Willis: “Më pëlqeu saktësia e karakterit tim. Është një mundësi e shkëlqyer për mua që të kthehem pas në kohë. Rrjeti nervor u trajnua mbi përmbajtjen e ‘Die Hard’ dhe ‘Fifth Element’, kështu që karakteri im është i ngjashëm me imazhet e asaj kohe”.

Sidoqoftë, agjenti i aktori ka qartësuar: “Ju lutemi ta dini se Bruce nuk ka asnjë partneritet apo marrëveshje me kompaninë Deepcake”.

Po ashtu, edhe në një deklaratë nga Deepcake, u hodhën poshtë thashethemet se kishte blerë të drejtat për fytyrën e Bruce Willis ishin të pasakta.

“Formulimi për të drejtat është i gabuar… Bruce nuk mund t’i shiste askujt asnjë të drejtë, ato janë të tijat si parazgjedhje”, ka thënë një përfaqësues i kompanisë.

 

LEXO EDHE:

Back to top button