Aktori Gene Hackman dhe gruaja e tij kishin vdekur 10 ditë para se t’u gjendeshin trupat
Aktori Gene Hackman dhe gruaja e tij kishin vdekur 10 ditë para se t’u gjendeshin trupat

Hetuesit amerikanë po përpiqen të përcaktojnë se si aktori fitues i Oscarit, Gene Hackman, dhe gruaja e tij, Betsy Arakawa, vdiqën. Trupat e tyre u gjetën të mërkurën në shtëpinë në New Mexico.
Zyrtarët kanë thënë se provat tregojnë se Hackman kishte vdekur qysh më 17 shkurt – 10 ditë para se të gjendeshin trupat e tyre, raportoi BBC.
Trupat e të dyve dhe i qenit që mbanin u gjetën nga policia pasi një punonjës thirri emergjencën.
Hackman u gjet në një dhomë afër kuzhinës, kurse Arakawa u gjet në banjo.
Sipas policisë, ata dukeshin se “kishin vdekur qe një kohë”.
Nuk është dhënë ende një shkak që çoi në vdekjen e çiftit. Autoritetet thanë se nuk kanë hasur në plagë të jashtme në trupat e tyre, por shtuan se vdekjet ishin “mjaftueshëm të dyshimta” që të niset hetim dhe të mos lihet anash asnjë shkak.
Testimi për helmim me monoksid karboni ka rezultuar negativ te të dy. Autopsitë ndërkohë janë në procedurë dhe autoritetet kanë thënë se mund të duhen muaj deri në lëshimin e rezultateve të tyre.