Akuza të ndërsjella nga partitë për situatën me pandeminë

Në kulmin e krizës shëndetësore, partitë politike nuk pushojnë së kërkuari përgjegjësinë tek njëra-tjetra. VMRO-DPMNE-ja që për disa ditë me radhë kërkoi lirimin nga puna të shtatzënave dhe të sëmurëve kronik, fajëson ministrin e Shëndetësisë Venko Filipçe se nuk bën mjaftueshëm për zbutjen e valës së infektimeve, por kalon më shumë kohë në rrjetet sociale. Kjo parti i referohej një video materiali komik të publikuar një ditë më parë në faqen e Filipçes në fejsbuk ku aludohej në dorëheqjen e Hristijan Mickoskit. Materiali ishte fshirë vetëm pak minuta pas publikimit.

Po Venko, 1 mijë pyetje “pse”, 1 mijë arsye “sepse” për dorëheqje. Deri sa kemi numër dyshifror të personave të vdekur, ti zbavitesh në rrjetet sociale. Një video e Xhim Kerit në ditën kur kemi 21 viktima, a i shkon një ministri? I etur për pushtet, i etur për “pëlqime”, i robëruar në kotësinë tënde, shpërndan arrogancë dhe nënçmon”-tha Marija Miteva, VMRO-DPMNE.

E nga LSDM-ja thonë se Ministria e Shëndetësisë e përballon situatën me sukses, por akuzojnë opozitën se punojnë për të kundërtën. Sipas tyre, kuadër të VMRO-së në Qeverinë teknike kanë penguar huamarrje të rëndësishme për të përballuar krizën, opozita në Kuvend zvarriti ligjin për mbrojtjen e popullsisë, kurse ekspertët e angazhuar nga kjo parti shpërndajnë informacione çorientuese dhe të pavërteta për virusin.

Humbësi Kristijan Mickoski vazhdon të punojë në dëm të shëndetit publik dhe të qytetarëve. Deri sa të gjithë institucionet në vendin tonë bëjnë luftë të pakompromis kundër virusit, bashkë me doktorët dhe personelin mjekësor, Mickoski dhe VMRO-DPMNE-ja përpiqen ta varrosin sistemin shëndetësor. Të vetëdijshëm se Ministria e Shëndetësisë e menaxhon mirë krizën, në vend që të ndihmojnë, Mickoski dhe VMRO-DPMNE-ja bëjnë gjithçka që të pengojnë”-pohoi Mile Taleski, LSDM.

Me qëndrime të këtilla politike për situatën shëndetësore me pandeminë partitë dalin në publik pothuajse secilën ditë duke gjetur gjithmonë fajin te oponenti.

Fatlume Dervishi

LEXO EDHE:

Back to top button