Gazetar: Suad Bajrami
Në pritje të miratimit të aktakuzës nga Gjykata e Shkupit për tragjedinë e Koçanit më 16 mars të këtij vitit në klubin e natës “Puls”, Prokuroria ka ngritur aktakuzë edhe ndaj një personi tjetër.
Bëhet fjalë për Aleksandar Nacev, pronarin real të agjencisë private për siguri “Rubikon Security”, e cila ka qenë e angazhuar për ta siguruar objektin.
Sipas organit të akuzës, ai së bashku me punëtorët e kompanisë do të ndiqen për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” pasi mbahen përgjegjës se nuk kanë ndërmarrë masa përkatëse të sigurisë, derisa objekti është siguruar pa marrëveshje, pa plan për siguri dhe pa kontroll të sigurisë.
“Sigurinë e kanë kryer pa marrëveshje të shkruar dhe pa mbajtur llogari për kontroll dhe mbikëqyrje të plotësimit të obligimeve të personave që kryejnë sigurinë e pronës dhe personave… Në ditën kritike objektin e kanë siguruar pa vlerësim paraprak të sigurisë, rreziqet dhe mundësisë për evakuim në rast të rrezikut, pa kontroll të hyrjeve dhe daljeve, në kushte të mbipopullimit të kapacitetit të vizitorëve”, thonw nga Prokuroria Themelore Publike.
Nacev si pronar i kompanisë gjithashtu mbahet përgjegjës se nuk ka caktuar numër të mjaftueshëm të personelit për të siguruar ngjarjen, ndërsa kanë lejuar të futen në klub persona nën moshën 18-vjeçare.
“Të punësuarit e “Rubikon” nuk kanë vepruar sipas dispozitave të Ligjit për Siguri Private dhe nuk kanë kryer verifikim të identitetit dhe moshës së personave gjatë hyrjes në objektin që e kanë siguruar dhe me atë kanë mundësuar hyrje të fëmijëve, personave që nuk i kanë mbushur 18 vjet dhe praninë e tyre në objekt edhe pas orës 12-të të natës… Nuk i kanë kontrolluar njerëzit, me qëllim të parandalimit të futjes dhe shfrytëzimit të materieve shpërthyese – mjeteve piroteknike me të cilat është shkaktuar zjarri”, vazhdojnw tutje nga Prokuroria Themelore Publike.
Prokuroria njofton se Nacev, i cili momentalisht ndodhet në arrest shtëpiak, ka pasur rol kyç në kompani, pasi u ka dhënë instruksionet direkte të punësuarve, ndërsa janë siguruar prova se Nacev menjëherë pas tragjedisë ka tentuar që t’i fshehë gjurmët e përgjegjësisë duke formuar kompani të re për sigurim privat me seli në Strumicë.
Me akuzën e sotme, numri i të akuzuarve për tragjedinë e Koçanit shkon në 35, ndërsa plotësisht janë të përfshira edhe 3 persona juridik. Gjykimi ndaj të akuzuarve do të fillojë pasi Gjykata e Shkupit të miratojë aktakuzën. Gjatë këtij muaji, sipas paralajmërimeve të Prokurorisë, duhet të ketë aktakuzë edhe për hetimin e dytë për këtë tragjedi, të cilën e udhëheqë Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, në të cilin, deri më tani janë të përfshirë 27 zyrtarë policorë. Megjithatë, deri më tani për këtë hetim edhe nuk ka vendim prokurorial.
Në tragjedinë e Koçanit, jetën e humbën 62 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u lënduan./ Alsat.mk








