Gazetare: Linda Ebibi Ademi
Nuk do të ketë më konkurse për specializime dhe punësime sipas dëshirave individuale. Kështu tha ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, gjatë prezantimit të analizës së re mbi gjendjen e burimeve njerëzore në institucionet publike dhe private të shëndetësisë. Sipas tij tani e tutje kjo çështje do të bazohet në tabelën e krijuar se për çfarë profile dhe në cilat vende ka nevojë, e jo në “thirrje telefonike” apo ndikime të tjera.
“Kjo do të thotë se kur të flasim për punësime të reja ato do të jenë përgjigje ndaj nevojave reale të sistemit shëndetësor në vendin tonë. Kur të themi se do të forcohet shëndetësia primare në ndonjë komunë atëherë do të dimë saktësisht se sa mjekë dhe sa infermierë duhet të ketë në atë komunë. Kur të themi se nuk do të lejojmë qytetarët të kenë dyfish më pak mjek se sa banorët dhe në përputhje me standardet evropiane, atëherë saktë do të dimë si ta korrigjojmë këtë dhe me sa kapacitete njerëzore”, tha Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.
Për të zgjidhur mungesën e kuadrit mjekësor, Aliu tha se mjekët do të orientohen drejt institucioneve ku ka më shumë nevojë. Ai sqaroi se ligji nuk lejon zhvendosjen me detyrim të punonjësve me kontratë aktive, por Ministria do të përpiqet t’i nxisë transferimet përmes kushteve të veçanta.
“Për momentin, për fat të keq kemi organizim të pamjaftueshëm të kapaciteteve shëndetësore. Ka disa profile që janë më shumë se sa kemi nevojë dhe kemi profile që mungojnë…nëse institucioni A ka pesë mjekë nga fusha A, dhe këto pesë nuk janë të nevojshëm por duhet vetëm tre, atëherë dy prej tyre duhet të shkojnë në institucionin B”, theksoi Azir Aliu, ministër i shëndetësisë.
Aktualisht, në vend ka 344 specialistë në gjinekologji dhe obstetrikë, 284 pediatër, 154 anesteziologë, 37 specialistë në radioterapi dhe onkologji, nga 1 mjek për psikiatrinë e fëmijëve dhe adoleshentëve, kirurgjinë kardiake pediatrike dhe 4 neuropsikiatër. Ndërsa, numri i të punësuarve në shëndetësi është 32.383, prej të cilëve 18.536 janë në institucione publike, ndërsa 13.842 në ato private./ Alsat.mk








