Aneksimi i katër rajoneve ukrainase nga Rusia nuk do të njihet kurrë nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian

Aneksimi i katër rajoneve ukrainase nga Rusia nuk do të njihet kurrë nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian

Gazetar: Isuf Kadriu

Njoftimi i presidentit rus Vladimir Putin se katër rajone të Ukrainës tashmë janë pjesë e Rusisë, është dënuar fuqishëm nga SHBA-së, Bashkimi Evropian dhe shumë shtete tjera, shkruan Alsat.

Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara kanë thënë se nuk do t’i njohin rezultatet e të ashtuquajturave referendume për bashkim me Rusinë, që janë mbajtur për pesë ditë në këto rajone. Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se nuk do t’i njohë kurrë pretendimet e Rusisë në territorin ukrainas.

“Dua të jem shumë i qartë, Shtetet e Bashkuara nuk do të njohin kurrë, kurrë, kurrë, pretendimet e Rusisë për territorin sovran të Ukrainës”, tha Joe Biden, president i SHBA-së.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka thënë se aneksimi do të shënonte “përshkallëzim të rrezikshëm” që do të dëmtonte synimet për paqe. Guterres ka thënë se çfarëdo vendimi për të marrë kontrollin e Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjas në Ukrainë, “nuk do të kishte vlerë dhe duhet të dënohet”.

“Karta e OKB-së është e qartë: Çdo aneksim i një territori shtetëror nga një shtet tjetër që rezulton nga kërcënimi ose përdorimi i forcës është një shkelje e parimeve të Kartës së OKB-së dhe ligjit ndërkombëtar”, u shpreh Antonio Guterres, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.

Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian kanë përgatitur sanksione shtesë për të izoluar Rusinë.

Kryeministrja britanike, Liz Truss, e ka kritikuar Putinin për “shpërfillje të jetëve të popullit ukrainas në rajonet që pretendon se përfaqëson”.

“Mbretëria e Bashkuar nuk do të injorojë kurrë vullnetin sovran të këtyre njerëzve dhe nuk do të pranojmë kurrë që rajonet e Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjas të jenë diçka tjetër përveçse territore ukrainase”, theksoi Liz Truss, Kryeministre e Britanisë së Madhe.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Vetë Putin e quajti luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button