Anesteziologu “tiktoker” do të mbetet pa licencë, shkarkohet dhe drejtori organizativ i spitalit

Anesteziologu “tiktoker” do të mbetet pa licencë, shkarkohet dhe drejtori organizativ i spitalit

Gazetare: Vjollca Aliti

Oda e Mjekëve javën e ardhshme do të vendosë se për sa kohë do t’i merret licenca anesteziologut nga Tetova i cili në platformën tik-tok ka hyrë drejtpërdrejtë në hapësirat ku ndodheshin gratë shtatzëna në Spitalin e Tetovës. Sipas Ministrit të Shëndetësisë Fatmir Mexhiti gjasat janë që derisa do zgjasë procedura gjyqësore, atij do t’i merret licenca për 7 vjet ndërsa pas përfundimit të procesit gjyqësor, anesteziologut mund t’i merret licenca përjetësisht.

“Në korniza ligjore, atij do t’i merret licenca për 7 vjet derisa përfundon procesi gjyqësor, e më pas mund që t’i merret përjetësisht licenca . Ajo çfarë mund të ndaj me ju është se deri para dy javësh në Spitalin Klinik të Tetovës nuk ka pasur fare Komision disiplinor, merreni me mend. Nuk e di përse ashtu ka qenë.. nga tani e tutje, me mua në ministri këto raste do dënohen sa më ashpër dhe menjëherë pasi të ndodhë rasti”, deklaroi Fatmir Mexhiti, Ministër I Shëndetësisë.

Dje zyrtarisht, ministri Mexhiti shkarkoi drejtorin organizativ të Spitalit të Tetovës Armend Fazliu me arsyetimin se ditën kur ka ndodhur rasti ai nuk ka qenë në vendin e tij të punës. Ministri madje tha se nuk përjashtohet mundësia që institucionet shëndetësor të mos kenë drejtorë organizativ fare.

“Drejtori që ishte nuk ka qenë në orarin e punës kur ka ndodhur ky rast si dhe për shkak se nuk ka pasur marrëdhënie të rregullt pune, ka shkuar në punë nga 2 orë dhe për këtë shkak atë ditë që isha në Tetovë e shkarkova, por për shkak se ishin festat nuk munda shkarkimin ta bëj zyrtarisht , dje e shkarkova edhe zyrtarisht. Do ketë bashkim të Qendrës Klinike, nga këtu nënkuptohet se nuk do ketë drejtorë organizativ por do ketë një drejtor general sic ka qenë edhe më përpara”, tha Fatmir Mexhiti, Ministër I Shëndetësisë.

Ndryshe, anesteziolog Valton Dervishi ndodhet në paraburgim që kur drejtori i Spitalit të Tetovës e denoncoi në Polici atë, pasi kishte transmetuar drejtpërdrejtë në “Tik Tok” pacientë në kirurgji. Dervishi ngarkohet për dy vepra penale, “punë të pandërgjegjshme” dhe “Incizim të pa autorizuar” . Sipas Kodit Penal personi zyrtar për punë të pandërgjegjshme rrezikon burg nga tre muaj deri në 5 vjet ndërsa për veprën incizim I pa autorizuar nga personi zyrtar parashikohet të paktën 3 vite burg. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button