Arratiset nga paraburgimi shtëpiak, MPB lëshon fletarrest për ish-ushtarin e UÇK-së Blerim Ramadanin
Arratiset nga paraburgimi shtëpiak, MPB lëshon fletarrest për ish-ushtarin e UÇK-së Blerim Ramadanin
Gazetar: Suad Bajrami
Është arratisur nga paraburgimi shtëpiak, Blerim Ramadani, ish ushtari i UÇK-së, i cili muajin e kaluar u arrestua në vendkalimin kufitar të Jazhincës, pas një fletëarresti ndërkombëtar të lëshuar në Interpol nga Serbia nën dyshimin se ka kryer krime gjatë luftës në Kosovë, 25 vite më parë, shkruan Alsat.
Nga MPB konfirmojnë informatën për arratisjen e Ramadanit dhe njoftojnë se kanë shpallur fletëarrest.
“Nga ana e organit kompetent gjyqësor është dorëzuar edhe dokumentacioni deri në MPB për shpalljen e fletëarrestit qendror për personin B.R. pasi që për momentin nuk është i kapshëm për organet e ndjekjes. MPB ndërmerr masa për gjetjen e personit”, thonë nga MPB.
Arratisja e Ramadanit ka ndodhur gjatë ditës sëdjeshme. Nga Gjykata Penale e Shkupit konfirmojnë për Alsat se Këshilli Penal prej 3 gjyqtarëve dje ka pranuar ankesën e Prokurorisë dhe ka zëvendësuar masën e paraburgimit shtëpiak me paraburgim efektiv.
“Pas ankesës së Prokurorisë, dje Gjykata Penale ka miratuar vendim për zëvendësimin e masës së paraburgimit shtëpiak me paraburgim efektiv. Është njoftuar MPB për ta zbatuar vendimin, ndërkaq nga MPB gjatë ditës kanë njoftuar se nuk e kanë gjetur në shtëpi”, thonë nga Gjykata Penale e Shkupit.
Ndryshe, Ramadani, më 17 korrik u ndalua në pikën kufitare Jazhincë, pas çka u dërgua në paraburgim ekstradues në Shutkë, ku do të duhej të qëndrojë deri më 16 gusht. Megjithatë, dy javë më vonë, gjegjësisht më 1 gusht, Gjykata Penale e zëvendësoi masën e paraburgimit efektiv me paraburgim shtëpiak. Ai u vendos në një adresë të familjarëve të tij në Shkup.
Ramadani është shtetasi i tretë i Kosovës si ish-ushtar i UÇK-së, i arrestuar në Maqedoninë e Veriut mbi bazën e fletarrestimeve serbe. Paraprakisht ishin arrestuar Gafurr Dugolli dhe Tomorr Morina, por me vendim të gjykatës ishin lënë gjithashtu të lirë./ Alsat.mk