Ashton: Kosova dhe Serbia të ulen në tavolinë dhe të gjejnë zgjidhje

Ashton: Kosova dhe Serbia të ulen në tavolinë dhe të gjejnë zgjidhje

Ish-përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme, Catherine Ashton u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë zgjidhje për mospajtimet që kanë.

Ajo ka potencuar se ardhmja e Kosovës dhe Serbisë varet pjesërisht nga marrëdhëniet që i ndërtojnë me Bashkimin Evropian.

“Secila palë e di se e ardhmja e tyre varet pjesërisht nga marrëdhëniet që i ndërtojnë me Bashkimin Evropian dhe pjesërisht nga marrëdhëniet që i krijojnë brenda rajonit të tyre. Dhe, kjo nënkupton gjetjen e një rruge për të krijuar një të ardhme që ofron paqe, siguri dhe sukses ekonomik për të dyja palët. Nuk ka qenë kurrë e lehtë – Marrëveshja e Brukselit ka qenë vetëm fillimi – mirëpo u bëj thirrje të dyja palëve që të ulen në tavolinë dhe të gjejnë përgjigje.”, ka thënë Ashton në një intervistë për Rel.

Ish-përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme ka folur edhe për pjesën e vështirë për t’i afruar palët deri te nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit.

Ajo, ndër të tjera, ka thënë se sfidë ka qenë njohja e së kaluarës, humbjet dhe dhimbjet e shumë personave.
“Imagjinojeni këtë skenë: Dy kryeministra, në moshë të njëjtë, nga rajoni i njëjtë, që nuk janë takuar kurrë, dhe të cilët bartin shpresat dhe aspiratat e popujve të tyre, të përziera me historinë dhe traumën e së kaluarës. Ka qenë gjë e guximshme vetëm pjesëmarrja në dhomë të njëjtë. Sfidë ka qenë njohja e së kaluarës, humbjet dhe dhimbjet e shumë personave, si dhe krijimi i një vizioni, për të siguruar që të rinjtë në Kosovë dhe Serbi, mund të shikojnë përpara drejt së ardhmes në BE.”, ka thënë ajo.

Ashton ka folur edhe për ndikimin rus dhe atë kinez në rajon. Ajo është shprehur se gjithmonë kanë qenë të vetëdijshëm për ndikimin e Rusisë dhe angazhimin në Ballkanin Perëndimor.

“Ngjarjet në Ukrainë, e kanë vënë më shumë në pah këtë fakt.”, ka shtuar ajo.

LEXO EDHE:

Back to top button