Autobusët privatë të transportit publik ankohen për mungesë të kushteve

Autobusët privatë të transportit publik ankohen për mungesë të kushteve

Gazetare: Melihate Rustemi

Temperaturat e larta të ditëve të fundit kanë nisur të jenë të papërballueshme në disa profesione, veçanërisht kur kanë edhe mungesë në kushte. Ilija Mihajllovski, shofer i transportit publik privat rrëfen për Alsat se linjat urbane brenda qytetit janë bërë makth jo vetëm për atë, por edhe udhëtarët. Autobusët jo vetëm që nuk kanë kondicionerë, por stacionet e shpeshta për ndalesa, e pamundësojnë çdo formë ftohjeje ose freskimi të autobusit, për ta bërë atë më të përshtatshëm për udhëtarët dhe vetë drejtuesit.

“Nuk ka klimë por të gjitha dritaret I lëmë të hapura që të mos krijohet vapë, të ajroset. Sido që të jetë e shtyjmë në këtë pjesë. Sigurisht që për shoferin e autobusit është më vështirë, ai tërë ditën është ulur para timonit, udhëtarët mund të zbresin pas dy stacioneve. Nga ora 11 e deri në atë 15 është më vështirë sepse është periudha më e nxehtë e ditës, gjithashtu edhe më e ngarkuar në komunikacion”, deklaroi Ilija Mihajllovski, shofer autobusi.

Udhëheqësia e shoqatës së transportuesve privatë thotë se me kushtet aktuale, atë të shtrenjtimit të karburanteve, nuk mundëson ripërtëritje të parkut të autobusëve me autobusë të rinj dhe me kushte më të mira. Pagesa aktuale e këtij lloji transporti bëhet me kilometra e jo për nga numri I udhëtarëve. Kilometrat janë të njëjtë, karburantet të shtrenjtë, ndërsa udhëtarët rrallohen për shkak të mungesës së kushteve.

“Si udhëheqësi akoma nuk jemi ulur që të bëjmë përllogaritjet por, 90% është e saktë se përfitimet janë zero. Këta autobusë janë importuar te ne para 10 vjetësh. Presim, tani me përfundimin e lejeve për punë të dhëna nga Qyteti I Shkupit të kemi kushte të tilla që çmimi për kilometër të jetë më I lartë që të kemi mundësi të marrim kredi për të importuar autobusë të rinj ose relativisht të rinj”, tha Kemo Muriç, zv drejtor “Slloboda Prevoz”.

Shoqata e transportuesve publik privat mendon se kjo situatë mund të zgjidhet me autobusë të cilët të jenë të paktën 4 vjet të përdorur, edhe pse, kushtet aktuale nuk mundësojnë rinovim të tyre. 170 shoferët që tubohen në 80 firmat që janë anëtare të shoqatës së transportuesve publik, në rast të përllogaritjeve dhe mos gjetjes së një zgjidhje për ndihmë, mund të lënë në rrugë udhëtarët. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button