Gazetare: Melihate Rustemi
Vatra e zjarrit mbi fshatin Moranë të Komunës së Studeniçanit që pothuajse për dy orë shqetësoi banorët është e qëllimshme sikurse edhe të tjerat zjarre ne vendin tonë. Kështu vlerëson drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Muhamed Ali duke shtuar se për të gjitha zjarret vijojnë procedurat e hetimit për të zbardhur detajet. Drejtori Ali theksoi se zjarri mbi Moranë u lokalizua shpejt nga zjarrfikësit e Shkupit pa pasur nevojë për ndërhyrje shtesë.
“Nuk kemi informacion të sigurt por një gjë është e sigurt se zjarri është i qëllimshëm, edhe aty si në 99% të zjarreve në Maqedoni edhe aty ishte i qëllimshëm. Me të marr lajmin menjëherë intervenuan zjarrfikësit e Qytetit të Shkupit me katër automjete. Fillimisht u raportua se zjarri ishte shumë i rrezikshëm dhe ne angazhuam menjëherë edhe automjetet e specializuara të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim edhe ato ishin rrugës për në Moranë, mirëpo shumë shpejt zjarri u lokalizua nga zjarrfikësit e Qytetit të Shkupit dhe nuk pat nevojë për intervenim shtesë”, deklaroi Muhamed Ali, drejtor i QMK-së.
Përveç njësisë zjarrfikëse nga Shkupi në shuarjen e zjarrit ndihmuan edhe vullnetarë nga fshati Moranë. Kryetari i Komunës, Azem Sadiki vlerëson se është shkaktuar dëm i madh material por fatmirësisht pa pasoja në njerëz dhe shtëpi pavarësisht se ishin vetëm disa metra larg vatrës së zjarrit.
“Intervenimi ka qenë shumë i shpejt, zjarri ka qenë i madh filloi me shpejtësi të madhe të përhapet por edhe banorët vullnetarë ndihmuan në shuarjen e zjarrit dhe për një orë e gjysmë e deri në dy orë arritëm që ta vendosim në kontroll dhe fatmirësisht nuk arriti që të arrij deri te shtëpitë. Është dëm i madh dhe unë dua që përmes televizionit tuaj, se tash nuk është koha që mund vet të ndizen zjarret sepse edhe temperaturat kanë zbrit, mirëpo me siguri është i qëllimshëm zjarri dhe unë apeloj që a janë njerëz këto që mund të mendojnë ti bëjnë këto punë. Jo vetëm dëmi material po edhe dëm shumë i madh ka mund të bëhet që edhe njerëzit edhe shtëpitë të kallen, kjo është për tu çuditur”, tha Azem Sadiki, kryetar i Komunës Studeniçan.
Sipas të dhënave nga Qendra për Menaxhim me Kriza, momentalisht në territorin e Maqedonisë së Veriut ka tre zjarre aktive. Në Komunën e Gazi Babës, Gostivarit dhe atë të Gjevgjelisë. Në këtë të fundit, respektivisht mbi malin Kozhuf nga QMK-ja raportuan se po intervenohet edhe nga ajri me qëllim lokalizimin sa më të shpejt të kësaj vatre të zjarrit. /Alsat.mk








