Autoritetet nuk posedojnë numër të saktë të fëmijëve të pavaksinuar

Autoritetet nuk posedojnë numër të saktë të fëmijëve të pavaksinuar

Gazetare: Ajnur Bafqari

Autoritetet nuk kanë një numër të saktë të numrit të fëmijëve të pavaksinuar që janë në çerdhet e vendit. Ministri i Punës dhe Politikës Sociale thotë se pas shpalljes së epidemisë së kollës së keqe, inspektorët kanë dalë në terren, por deri tani nuk kanë gjetur shkelje. Vellkovski thotë se nuk kanë informacion se sa fëmijë nuk kanë marrë të gjitha vaksinat.

“Inspektorët janë në terren në Shkup, bëjnë kontrolle të rregullta, bëjnë procesverbale ku deri më tani nuk janë bërë shkelje, respektivisht nuk janë shqiptuar masa lidhur me pranimin e fëmijëve pa kartonin e vaksinimit”, tha Gjoko Vellkovski, Ministër i Punës dhe Politikës Sociale.

A keni informacion se sa fëmijë janë me karton jo të plotë të vaksinimit?

“Informacion të tillë nuk kemi për momentin, por do ta sigurojmë. Në të gjitha analizat e bëra nga inspektorët, i verifikojnë dosjet dhe nuk ka vërejtje deri më tani”, u përgjigj Vellkovski.

Ndërkohë drejtoresha e çerdhes “25 maji” thotë se ka fëmijë të pavaksinuar, por prindërit nuk i dërgojnë në çerdhe.

“Kemi fëmijë që nuk janë të vaksinuar, por prindërit janë të vetëdijshëm dhe për momentin nuk I dërgojnë fëmijët në çerdhe”, tha Marina Angjellkova Arsova, Drejtoreshë e Kopshtit “25 maji”.

Numri i të prekurve nga kolla e keqe ka kaluar mbi 100, ndërsa prej datës 8 shkurt është shpallur epidemi në Qytetin e Shkupit. Komisioni për Sëmundje Ngjitëse, rekomandoi që çerdhet të mos pranojnë fëmijë të pavaksinuar, gjë që rriti interesimin për vaksinim sidomos të atyre që nuk i kanë marrë dozat e vaksinave në kohë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button