Bajden i ka kërkuar Vuçiqit ta njohë Kosovën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Xho Bajden ka kërkuar nga Serbia dhe presidenti Aleksandar Vuçiq që të njoh Kosovën. Në letrën e urimit, dërguar me rastin e 15 shkurtit, ditës kombëtare të Serbisë, presidenti Bajden, i shkruan Vuçiqit se SHBA mbetet e palëkundur në mbështetjen e Serbisë për integrimin evropian.

Dhe ju inkurajojmë që të vazhdoni të bëni hapa të fortë përpara për të arritur atë qëllim – duke përfshirë krijimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit me Kosovën, të përqendruar në njohjen reciproke. Fuqia e marrëdhënies sonë është e ndërtuar mbi një histori të thellë të lidhjeve njerëz me njerëz, duke luftuar si aleatë në të dy Luftërat Botërore dhe ne çmojmë kontributet e mëdha që serbët i kanë dhënë shoqërisë amerikane në shumë fusha – shkruan Josef Biden, president i SHBA-së.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i presidentit serb Aleksandar Vuçiq. Ai për mediat serbe tha se njohja reciproke, nuk përmendet në asnjë akt të organizatave botërore.

Kam marrë një mesazh urimi nga Presidenti Bajden. Sa i përket njohjes reciproke, nuk thuhet në asnjë akt të organizatave botërore. Ka pasur përpjekje për të imponuar atë term si diçka që duhet ta kishim pranuar si zgjidhja përfundimtare. Por unë ua thashë çfarë mendoja për njohjen reciproke – deklaroi Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë.

Reagoi edhe pala kosovare. Kryeministri Abdulla Hoti, duke komentuar letrën e presidentit Bajden, tha se ajo e vulos miqësinë e SHBA-së me Kosovën.

Sot një letër tjetër e presidentit të ShBA-ve që e vulosi këtë miqësi. Besoj se jemi të bekuar si qytetarë me këto miqësi që kemi -u shpreh Abdulla Hoti, kryeministër i Kosovës.

Në takimin e shtatorit të vitit të kaluar në Uashington, presidentit serb Vuçiç e hodhi poshtë mundësinë për njohje reciproke dhe ky term nuk u përfshi në marrëveshjen e Uashingtonit.

Mefail Ismaili

LEXO EDHE:

Back to top button