Ballkani i hapur, marrëveshje mes vendeve

Ballkani i hapur, marrëveshje mes vendeve

Në tekstin e Memorandumit të mirëkuptimit që ka të bëj me taksat, i cili do të nënshkruhet dhjetë muaj pasi nisma e Ballkanit Perëndimor u emërua zyrtarisht “Ballkani i Hapur”, në vend të emrit të mëparshëm “mini-Schengen”, thuhet se nënshkruesit kanë parasysh “rëndësinë e shtuar” të bashkëpunimit në luftën kundër evazionit fiskal, gjegjësisht, shmangies së pagesës së tatimit.

“Dispozitat e këtij dokumenti nuk do të rezultojnë në vendime apo veprimtari të veçanta që janë të detyrueshme dhe të imponuara për asnjë palë apo palë të tretë”.

Ndër të tjera, gjithsej tetë nene të marrëveshjes theksojnë nevojën për punë të përbashkët për të inkurajuar përmbushjen e detyrimeve tatimore në të tre vendet dhe se secila palë mund të caktojë një person për të koordinuar aktivitetet në emër të saj.

Gjithashtu, secila palë i paguan shpenzimet e veta për zbatimin e Memorandumit. Në tekstin e Marrëveshjes së paraparë në fushën e njohjes reciproke të diplomave, në të cilin Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje iniciativa mbron përshpejtimin e procedurave për njohjen e diplomave të arsimit të lartë ndërmjet Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja i referohet kualifikimeve të nivelit e pestë (arsimi i lartë), si dhe niveleve gjashtë deri në tetë të Kornizës Evropiane të Kualifikimeve.

Është specifikuar që diplomat me vulën apostile të institucionit kompetent i nënshtrohen njohjes së drejtpërdrejtë. Në nenet e Memorandumit, nënshkruesit angazhohen për të inkurajuar lëvizshmërinë e punonjësve të kulturës dhe thellimin e bashkëpunimit institucional. Palët kontraktuese deklarojnë se do të përpiqen të harmonizojnë kriteret dhe të shtojnë numrin e konkurseve për financimin e projekteve kulturore.

Në Memorandumin e mirëkuptimit në fushën e turizmit në Ballkanin Perëndimor, i cili gjithashtu duhet të nënshkruhet në Ohër, parashihet formimi  i një harte turistike të quajtur “Ballkani i Hapur”. Në samitin e Ohrit për herë të parë do të marrë pjesë edhe përfaqësuesi i Malit të Zi, kryeministri Dritan Abazoviq.

Ai është kritikuar nga një pjesë e publikut në vendin e tij për shkak se nuk e përjashton mundësinë e anëtarësimit të Malit të Zi në “Ballkanin e Hapur”, një nismë e nisur në vitin 2019, e cila deri më sot, pavarësisht se ka mbështetjen e BE-së, si dhe të administratës së mëparshme dhe asaj aktuale të SHBA-së, nuk arriti të zgjerohej.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka refuzuar ftesën e kryeministrit Dimitar Kovaçevski për të marrë pjesë në nismën Ballkani i Hapur.

Tre nismëtarët, Edi Rama,  Aleksandar Vuçiq dhe Zoran Zaev, e ideuan këtë koncept me qëllim të krijimit të një zone të lëvizjes së lirë të njerëzve, mallrave dhe shërbimeve në Ballkanin Perëndimor./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button