Luftime të ashpra në Donjecuk verior

Luftime të ashpra në Donjecuk verior

Situata e luftës në frontin e Ukrainës lindore po bëhet gjithmonë e më e paqartë, duke ndryshuar në varësi të zonave që ushtria ruse kërkon të rrethojë dhe kontrollojë.

Një ditë më parë zyrtarë ukrainasë theksuan se trupat e dërguara nga Kremlini kishin marrë kontrollin e rreth 90% të qytetit Donjecku Verior, por sot guvernatori Sergej Haidai, deklaroi se gjatë natës forcat ukrainase kishin rimarrë 20% të territorit, dhe se mbrojtësit e qytetit mund të rezistonin të paktën edhe dy javë në këtë situatë. Presidenti ukrainas Zelenski ka bërë thirrje për më shumë presion ndaj Rusisë.

” Lufta në shkallë të gjerë në Evropë dhe destabilizimi i tregjeve botërore, që ndodhi për shkak të Rusisë, ndikon drejtpërdrejt në jetën e çdo kombi dhe të të gjitha qyteteve të botës së lirë. Prandaj, bëni thirrje për më shumë presion ndaj Rusisë. Mos e ndihmoni të justifikojë veten. Mos mbani lidhje me të. Dhe ju lutem mos lejoni që ata që janë bërë vrasës t’ju quajnë vëllezër dhe motra të tyre.”, u shpreh Volodimir Zelenski, President i Ukrainës.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka bërë thirrje për t’i dhënë fund dhunës. Ai tha se konflikti tashmë ka vrarë mijëra njerëz dhe ka zhvendosur miliona të tjerë dhe se lufta “ka rezultuar në shkelje të papranueshme të të drejtave të njeriut dhe po ndez një krizë globale të ushqimit.  Guterres tha se OKB-ja është e përkushtuar ndaj përpjekjeve humanitare, por në fund të fundit, negociatat dhe dialogu do të jenë të nevojshme për të zgjidhur konfliktin.

Pushtimi rus në Ukrainë ka rënduar situatën ekonomike në botë dhe është duke ndikuar edhe në mungesa të ushqimit. Rusia dhe Ukraina janë të dyja furnizuese kyçe të drithërave.

Meqë portet kyçe i ka të bllokuara, Ukraina ka transportuar eksportet përmes rrugëve hekurudhore nga kufiri perëndimor, si dhe nga portet shtetërore në Lumin Danub, sa kanë qenë të hapura.

Rreth 25 milionë tonë të drithërave nuk kanë arritur të dalin nga Ukraina prej nisjes së luftës. Rusia, në anën tjetër, nuk e ka ndalur prodhimin e drithërave dhe vazhdon të eksportojë përmes Detit të Zi dhe Detit Azov.

Tregjet globale të drithërave dhe vajit vegjetal – në të cilat Ukraina dhe Rusia luajnë rol të madh – janë ndër më të prekurat. Indeksi i OKB-së për Ushqim, ka regjistruar shifra rekorde të rritjes së çmimeve. E gjithë kjo situatë përbën rrezik për sigurinë e ushqimit në shtetet që veçse janë të cenueshme ekonomikisht dhe shumë të varura nga gruri rus, sikurse ato në Lindje të Mesme, Afrikë dhe Azi Qendrore./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button