Banorët e banesës së djegur në Seravë, në mëshirë të fatit

Banorët e banesës së djegur në Seravë, në mëshirë të fatit

Gazetare: Melihate Rustemi

Kjo ishte atmosfera mëngjesin e sotëm para ndërtesës në lagjen Seravë të Çairit e cila ditë më parë u përfshi nga zjarri që kaploi bodrumin e kësaj ndërtese. Sipas burimeve të Alsat, familjet që banojnë në këtë ndërtesë ishin nisur drejt banesave të tyre për të marrë gjërat që u duhen por janë ndaluar nga policia për shkak të sigurisë së tyre. Sipas të njëjtave burime, banorët e ndërtesës janë takuar edhe me pronarin e objektit I cili supozohet të ketë thënë se nuk mban përgjegjësi për tragjedinë e ndodhur. Kjo ka revoltuar edhe më shumë banorët duke vazhduar në përplasje verbale me punonjësit e policisë. Madje, sipas banorëve policia ka ndaluar njërin nga banorët e ndërtesës. Sipas burimeve të njejta, ajo që e bën edhe më tragjike këtë rast është se një pjesë banorëve që tashmë banojnë në këtë ndërtesë nuk kanë ende fletpronësitë e banesave, dhe madje, një pjesë e tyre rrëfejnë se kanë qenë të lidhura disa familje me të njëjtin orëmatës.

Më 1 Tetor, pas mesnate ka shpërthyer zjarr në bodrumin e ndërtesës në fjalë duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Zjarri që vazhdoi të jetë aktiv për 30 orë rresht shkaktoi përhapjen e madhe të tymit duke kapluar dhjetëra banesa të kësaj ndërtese. 35 familje u evakuuan me ndihmën e shkallëve të zjarrfikësve. Shumë prej banorëve u asfiksuan nga tymi, në mesin e tyre kishte edhe zjarrfikës. 43 persona kërkuan ndihmë mjekësore, prej të cilëve 12 ishin fëmijë.
Arsyet e këtij zjarri ende nuk dihen, ndërsa nga Ministria e Punëve të Brendshme thonë se po punojnë në zbardhjen e rastit./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button