Banorët e Pollogut ia mësynë druve, Nuredini rekomandon ngrohje me rrymë
Banorët e Pollogut ia mësynë druve, Nuredini rekomandon ngrohje me rrymë
Bashkim Sulejmani
Kriza energjetike, ka bërë që shumica e banorëve, t`i kthehen ngrohjes me dru. Por edhe çmimi i druve për ngrohje pothuajse është dyfishuar. Banorët shprehen skeptik se do mund të sigurojnë edhe drutë pasi çmimi për një metër ka kaluar 85 eurot.
“Me asgjë sivjet s`do ngrohemi, edhe drutë shtrenjtë edhe energjia elektrike shtrenjtë. Do rrimë nën batanije. Ministri le të na jep rrogën e tij që jemi neve pa punë pa ndihmë sociale dhe ia bëjmë disi. Sot 70 vjeç jam, çka të bëj, le të na jep rrogën ministri pastaj do ngrohemi si thotë ai”.
“Sivjet me Batanije. Do marrim më shumë batanije dhe do ngrohemi. S’është normale kjo, jashtë normales është me rroga prej 18 denarësh as për dru as për energji elektrike s`dalin”.
“Unë jam të drutë, më mirë kështu. 90 euro është bë metra e druve. A kanë pyet ndonjëherë ne pensionistët sa e kemi pensionin. Ai kollaj e ka të thotë ashtu”.
Përkundër qëndrimit të banorëve, ministri i ekologjisë e thotë të kundërtën. Për shkak të ndotjes së ajrit, ai rekomandon ngrohje me energji elektrike.
“Gjithë ne duhet të jemi të vetëdijshëm se çdo ndotje ne vetë e bëjmë, andaj duhet të jemi të kujdesshëm për familjet tona. Andaj them që sërish më lirë është sërish ngrohja të jetë me energji elektrike dhe të kujdesemi për rrethin tonë. Ne e kemi parasysh se peletat janë rrit tepër por po kujdesemi edhe më tej që marzhat jo vetëm në hyrje por edhe në vend të kujdesemi që mos të bëhen çmimet tepër të larta. Nuk paralajmërohen restrikcione, andaj, ideja është që gjithë ne të kujdesemi mos ndotim, por edhe të kursejmë energjinë elektrike”, deklaroi Naser Nuredini, ministër i ambientit jetësor.
Për dallim nga kryeqyteti ku ngrohja është kryesisht qendrore, në Pollog por edhe në qytetet tjera të Maqedonisë perëndimore, ngrohja gjatë dimrit bëhet kryesisht me dru e peletë, gjë kjo që ndikon shumë më tepër në ndotjen e ajrit./Alsat.mk








