Bashkimi me Shqipërinë, Kurti: Na e ndalon Kushtetuta, por do të bashkëpunojmë

Kandidati për kryeministër në Kosovë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti ka folur rreth organizimit të referendumit për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Ai në përvjetorin e “Besëlidhjes së Lezhës (1444)”, ku morën pjesë edhe përfaqësues të shqiptarëve nga Tuzi, Maqedonia, Medvegja dhe Bujanovci, ka thënë se momentalisht një hap i tillë është i pamundur për shkak të Kushtetutës së Kosovës.

“Fatkeqësisht Kushtetuta e Kosovës e ka në kundërthënie Nenin 1.1 me Nenin 1.3… Neni 1.1 thotë që Kosova është shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, ndërkaq Neni 1.3 na e ndalon bashkimin me një shtet tjetër, në këtë kuptim pavarësia e Kosovës nuk e lejon në mënyrë Kushtetuese bashkimin me një shtet tjetër të pavarur si Shqipëria, njëkohësisht paraqet edhe pengesë edhe për integrime të llojit tjetër siç është ai evropian, tashmë në Kosovë kur s’kemi ligj për referendum dhe kur s’e ndryshojmë dot Kushtetutën tregon që duhet të bëjmë më shumë punë dhe do të kalojë ca kohë deri sa të mbërrijmë deri në atë pikë,” tha Kurti.

Kurti evidentoi fushat në të cilat Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë, ndoshta ende më shumë pasi ai të marrë drejtimin e Qeverisë.

“Shqipëria dhe Kosova, si shtete, si institucione, si politika duhet të bashkërendohen drejt bashkimit integrimit, mbi të gjitha në tri fusha kryesore, në atë të sigurisë së përbashkët, energjisë dhe burimeve natyrore dhe atë të politikës së jashtme të kombit shqiptar,” tha Kurti.

Mirëqenia e shqiptarëve në rajon dhe padrejtësitë me të cilat ato përballen ishte një tjetër shqetësim ku u ndal lideri i Vetëvendosjes.

“Politikë-bërja te shqiptarët duhet me patjetër t’i rikthehet Lezhës, t’i rikthehet besëlidhjes në mënyrë që edhe të dalim nga vështirësitë që i kanë shqiptarët kudo, por edhe të vendosemi në binarët e demokracisë e drejtësisë, zhvillimit dhe progresit të cilat nuk e lënë asnjëherë prapa, vetëm mirëqenia për të gjithë është mirëqenie,” tha Kurti.

LEXO EDHE:

Back to top button