BBC-ja u kërkon falje punëtorëve që ndiheshin të paaftë të ngrinin zërin për sjelljen e komedianit Russell Brand

BBC-ja u kërkon falje punëtorëve që ndiheshin të paaftë të ngrinin zërin për sjelljen e komedianit Russell Brand

Mediumi britanik BBC u ka kërkuar falje anëtarëve të stafit të cilët, siç thuhet, “ndiheshin të paaftë të ngrinin shqetësime për sjelljen e komedianit Russell Brand, për shkak të statusit të tij”.

Kjo është bërë pas një hetimi të brendshëm që thuhet se zbuloi që shqetësimet për sjelljen e Brand nuk u trajtuan siç duhet, raporton agjencia e lajmeve Associated Press.

Hetimi, i kryer nga Peter Johnston, përgjegjës për shyqtimin e ankesave në BBC, identifikoi tetë ankesa në lidhje me Brand, duke përfshirë akuza se ai kishte kryer marrëdhënie seksuale në ambientet e BBC-së dhe kishte ekspozuar veten në studio. Johnston gjeti se vetëm një nga këto ankesa ishte ngritur formalisht në atë kohë.

“Jam mirënjohës për ata që folën me mua dhe ekipin tim, dhe kërkova falje në emër të BBC-së për ata që u prekën drejtpërdrejt nga ajo që kam dokumentuar këtu. Kultura e asaj kohe pa dyshim ndikoi në atë që ishte e pranueshme dhe e tolerueshme, por kam gjetur se një numër individësh kishin shqetësime për sjelljen e Russell Brand që ata nuk mund t’i ngrinin atëherë”, ka thënë Johnston, në raportin e publikuar të premten.

BBC e nisi hetimin pas publikimit të akuzave nga katër gra që thonë se janë sulmuar seksualisht nga Brand midis viteve 2006 dhe 2013, në kulmin e famës së tij.
Brand kishte dy shfaqje javore në radion e BBC-së nga viti 2006 deri në 2008 dhe punoi herë pas here në disa projekte afatshkurtra. Ai tani krijon podkaste dhe video në platformën YouTube që janë kritikuar për përhapjen e informacionit të pasaktë dhe teorive të konspiracionit.
Brand i ka mohuar akuzat për përdhunim, sulm dhe abuzim emocional, dhe ka thënë më parë se të gjitha lidhjet e tij seksuale ishin “absolutisht gjithmonë konsensuale”.

Johnston ka thënë se ka kontaktuar Brand për t’i dhënë mundësinë të japë pikëpamjen e tij në lidhje me hetimin, por ai ka zgjedhur të mos marrë pjesë.

BBC e ka pranuar se “është e qartë se prezantuesit kanë abuzuar me pozitat e tyre” në të kaluarën. Megjithatë, transmetuesi ka thënë se kanë ndodhur ndryshime që nga largimi i Brand nga BBC, përfshirë krijimin e një procesi të veçantë për akuzat më serioze dhe një rregullore kundër ngacmimit dhe bullizmit.

LEXO EDHE:

Back to top button