BE-ja s’mund të marrë vendim për çeljen e bisedimeve

Ndonëse është e qartë se Bashkimi Evropian sot nuk mund të miratojë kornizën negociuese për Maqedoninë e Veriut, kjo çështje gjithsesi është vendosur në rend dite. Ministri gjerman për Evropën, Rot në fillim të seancës online të Këshillit të Përgjithshëm të BE-së tha se zgjerimi nuk mund të bëhet peng i çështjeve dypalëshe.

“Do t’i informoj kolegët për procesin e zgjerimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Qysh në fillim të vitit, vendosëm t’i fillonim negociatat me të dy shtetet. Është në interes të BE-së që sa më parë t’i fillojmë negociatat përmes konferencave ndërqeveritare. Shpresoj që të gjitha shtetet anëtare do të pajtohen për këtë qëllim dhe do të jenë të gatshme që për realizimin e të njëjtit të punojnë në mënyrë pragmatike dhe solidare. Zgjerimi nuk mund të jetë peng i kërkesave dypalëshe të shteteve të caktuara anëtare- deklaroi Mihael Rot, Ministër i Gjermanisë për Evropën.

Kryediplomatja bullgare, Zaharieva mëngjesin e sotëm edhe një herë e konfirmoi veton, me arsyetimin se Maqedonia e Veriut do t’i fillojë negociatat për anëtarësim me BE-në atëherë kur të jetë gati, ndërsa tani nuk është.

Ekaterina Zaharieva, Ministre e Jashtme e Bullgarisë
“Kur tensionet të zbuten, përfshirë edhe në Bullgari, kur të fillojë të menduarit me mençuri e jo me emocione, kur t’i japin fund shtet-ndërtimit mbi ideologji anti-bullgare, atëherë do të fitojnë më shumë.”

Sofja e ka kushtëzuar Shkupin të pranojë mes tjerash se gjuha dhe populli maqedonas kanë rrënjë bullgare dhe të heq dorë nga pakica maqedonase në Bullgari, në mënyrë që t’i jep dritë jeshile për në BE. Për tejkalimin e dallimeve ishin paralajmëruar takime të niveleve të ndryshme, por nuk ka pasur asnjë komunikim dypalësh që nga mesi i javës së kaluar.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button