Bisedimet Kosovë-Serbi, Hoti dhe Vuçiç hyjnë në Shtëpinë e Bardhë


Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kanë arritur në Shtëpinë e Bardhë. Kjo është konfirmuar përmes një postimi në rrjetin social Twitter, nga Këshilli për Siguri Kombëtare i SHBA-së.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, para takimit në Shtëpinë e Bardhë të enjten, ka deklaruar se asnjë diskutim tjetër nuk bëhet me Serbinë, përveç se për njohje reciproke.

“Unë besoj që marrëveshja e sotme që mund të arrihet për bashkëpunim ekonomik, është një hap më afër normalizimit përfundimtar mes dy vendeve që është vetëm njohja reciproke”, ka deklaruar Hoti.

Ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pala serbe do të bëjë çmos për të arritur një kompromis për çështje të rëndësishme ekonomike.

“Ne duam paqe, duam stabilitet, duam përparimin e Beogradit, Prishtinës dhe të gjithë rajonit tonë, dhe mbi të gjitha do të duhet të kujdesemi për njerëzit tanë në Kosovë”, ka thënë Vuçiq.
Ai i ka quajtur si arrogante deklaratat e zyrtarëve të Kosovës në lidhje me njohjen e Kosovës.

“Mesazhi im për të gjithë në Serbi është: dorëzimi nuk është kurrë një mundësi”, ka thënë Vuçiq.

Nikoqirë të takimit do të jenë këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Para fillimit të bisedimeve të enjten, Grenell ka thënë se populli i Kosovës dhe ai i Serbisë meritojnë normalizimin ekonomik dhe mundësinë për të krijuar një ekonomi gjallëruese.

“Sot jam i përqendruar te të rinjtë që duan një karrierë, një punë të mirë dhe një lidhje me Perëndimin”, ka thënë Grenell përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

LEXO EDHE:

Back to top button