Biznesi me gaz lë pa ngrohje shkollat dhe çerdhet në Çair dhe Butel?!

Biznesi me gaz lë pa ngrohje shkollat dhe çerdhet në Çair dhe Butel?!

Gazetar: Adnan Qaili

Çfarë faji kanë këta fëmijë që u kërcasin dhëmbët nga të ftohtit në çerdhe!?

Prej 5 ditësh kjo situatë po ndodh jo vetëm në institucionet edukativo-arsimore, por në gjithë rajonin e Çairit dhe Butelit, zonë e cila mbulohet nga Ngrohtorja Shkup-Veri, e cila në fakt nuk pritet të funksionoj së paku deri në fund të kësaj jave.

“Në pikun e krizës energjetike disa nga shkollat dhe çerdhet po ngrohen me kondicioner-inverter nga që nuk funksionon ngrohja qendrore. Madje disa nga prindërit kanë tërhequr fëmijët e tyre për shkak se është shumë ftohtë dha janë të pamjaftueshme këto pajisje që ti ngrohin këto hapësira për tu zhvilluar siç duhet procesi edukativo-arsimor”, raporton Adnan Qaili, gazetar i Alsat.

Një nga edukatoret në Çerdhen “11 Tetori” tha se nuk kanë kushte për t’i mbajtur fëmijët më gjatë.

“Në këto kushte gati e pamundur, sepse kondicioneri që shihni nuk përmbush kaq hapësirë, nga mëngjesi i djeshëm kishte ftohtë acar sepse gjatë fundjavës nuk ngrohet objekti. Ka shumë reagime nga prindërit pasi që kjo periudhë është e mbushur me gripa dhe ftohja është arsye shtesë përkeqësimin e shëndetit”, u shpreh një edukatore.

“Është ftohtë, nuk ka kushte! Ku ti lë, që të sëmurën, kjo s’ka kuptim. Kjo nuk është hera parë, edhe para dy jave problemi njëjtë tani edhe me keq, nuk kemi çfarë të bëjmë. Momentalisht, në pikë të dimrit nuk ka ngrohje, ja e shihni edhe vetë fëmijët me dy tri pallto, fanella e kapela rrinë brenda”, tha një prind

Nga udhëheqja e ngrohtores “Shkup-Veri” thonë se duan t’ia japin shtetit në menaxhim të përkohshëm ndërmarrjen. Por drejtori ekzekutiv Kushtrim Ramadani tha se Bordi i kreditorëve të “Shkup-Veri” nuk i lejojnë pronarit Bogolub Makrevski, të nënshkruaj dokumentin për dorëzimin e kompanisë në menaxhim të shtetit.

Alsat siguroi dokumentin që njëri nga përfaqësuesit e Bordit është edhe vet Kompania Makpetrol, e cila deri më tani ka furnizuar këtë me gaz dhe ngrohtoret tjera. Por, EMV-ja tani furnizimin me gaz e bën nga një kompanie tjetër, që kanë komplikuar procedurën e dhënies në menaxhim të shtetit pasi në këtë rast Makpetrol është përjashtuar nga furnizimi i ngrohtoreve me gaz.

“KRRE nuk na i pranon çmimet reale të gazit, me pretekst që mos të rritet çmim shërbimit për qytetarët, unë pajtohem me këtë, mirëpo duhet të dal dikush në ndihmë që këtë ‘gap’ apo mungesë të çmimit të gazit të na kompensojnë. Deri tani Qeveria nuk na doli në ndihmë me pretekstin se nuk subvencionon kompani private që në ligj nuk shkruan kjo askund. Nëse Bordi Kreditorëve jep leje për të nënshkruar një bashkëpunim tekniko-afarist me EMV-në do të zgjidhet menjëherë problemi, ne jemi në presion të kohës”, deklaroi Kushtrim Ramadani, Drejtor i SH.A. “Ngrohtorja Shkup-Veri”.

Për të mos mbetur pa ngrohje qytetarët, Ramadani thotë se ngrohtores nuk u jepet mundësia as e përdorimit të mazutit si plan B, të cilin e kanë proklamuar edhe EVM në rast të mungesës së thëngjillit për prodhim të rrymës apo në mungesë të gazit për prodhim të energjisë termike. Nga Ngrohtorja Shkup-Veri thonë që kanë lejen B-integruar të Ministrisë së Ekologjisë, por inspektorati Qytetit Shkupit bllokoi djegien e mazutit. Nga Ministria e Ekonomisë thonë se ua kanë lënë në dorë Komisionit Rregullator të energjetikës dhe EVM-së të gjejnë një zgjidhje për Ngrohtoren Shkup-Veri. Nga SH.A. Elektranat e Maqedonisë thonë se janë në bisedime të vazhdueshme për zhbllokim juridik të situatës që të merret në menaxhim nga shteti. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button