Ngrohtorja “Shkup-Veri” i ka lënë në të ftohtë nxënësit e shkollave të Çairit dhe Butelit

Ngrohtorja “Shkup-Veri” i ka lënë në të ftohtë nxënësit e shkollave të Çairit dhe Butelit

Gazetare: Melihate Rustemi

Ndërprerja e ngrohjes ka detyruar qindra nxënës të shkollave fillore të Komunës së Çairit, “Ismail Qemali”, “Vasill Gllavinov”, “7 Marsi” dhe “Petar Zdravkovski Penko” në Butel të humbin nga mësimi. Por shumë klasa ishin me numër të përgjysmuar të nxënësve.

“Kanë munguar nxënës, nuk është që nuk kanë munguar, kanë munguar nxënës që nga ora e parë mësimi ka vazhduar me orar të shkurtuar. Ndoshta jo ankesa prej prindërve mirëpo ne e kuptojmë hallin e prindërve që është e domosdoshme që ata ti sigurojnë fëmijët në një qëndrim ditor por edhe prindërit janë mirëkuptuese”, tha Fitore Qirezi, drejtore e sh.f “7 Marsi”.

Nxënësit që takuam në orë mësimi qëndronin me pallto të veshur dhe rrëfenin për të ftohtin që ndjenin.

“Se kam heq aspak pallton se është shumë ftohtë. Sa orë do i mbani sot? Dy orë. Po qëndrojmë vetëm në klasë, jashtë shumë ftohtë edhe në korridor shumë ftohtë”.

“Na ka tregu mësuesja që i kemi orët e shkurtuara sepse është ftohtë, nuk ka ngrohje. Nuk e kam heq pallton, po rri me të se shumë ftohtë është”.

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu kërkon koordinim të të gjitha institucioneve për tejkalimin e krizës, pasi fëmijët janë ata që më së shumti pësojnë nga mos funksionimi i ngrohtores “Shkupi-Veri”.

“Kuptohet që sulucionet e fundit janë mësimi online por nuk kisha dashur as të mendoj e as të shkojmë në atë variant. Por, ne duhet që të gjithë, institucionet në fjalë të koncentrohemi, të koordinohemi, të japim maksimumin që ta tejkalojmë këtë krizë. Mendoj që këtu duhet të ndihmoj edhe Qeveria, siç ju ka ndihmu edhe ngrohtoreve tjera ti ndihmojë edhe Shkup Veriu ta tejkalojmë këtë situatë”, deklaroi Visar Ganiu, kryetar i Komunës Çair.

Brenda muajit nëntor kjo është hera e dytë që nxënësit e shkollave të Çairit dhe Butelit të detyrohen të mbesin pa mësim për shkak të mungesës së ngrohjes qendrore./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button